Pikërisht në momentin që dukeshin më të fortë, më të sigurt, me kohë të plotë për të dy objektivat sezonal, Vllaznia sheh që asgjë nuk është e vendosur. Shkodranët synojnë gjëra të mëdha këtë vit, por më parë duhet të kalojnë një pengesë të fortë si Egnatia, duhet të përmbysin humbjen 1-0 në ndeshjen e parë, për të synuar finalen në Kupën e Shqipërisë. Pavarësisht momentit jo të mirë, trajneri Osmani shprehet i bindur se mund ta përmbysin Egnatian, për më tepër që në krah do të kenë edhe tifozët në “Loro Boriçi”:

“Të gjithë jemi optimistë për përmbysjen me Egnatian dhe kalimin në finalen e Kupës. Nesër nuk do të jetë e lehtë por kemi kualitet, plot optimizëm e presim ndeshjen e nesërme. Qëllimi ndaj Teutës është të shihnim lojtarët që do të zëvendësonin Hakaj dhe Stojanoviç. Mendoj që luajtën mirë dhe presim që nesër të përsërisin lojën që bënë në Durrës.

Jemi stërvitur gjatë javës kanë një përkrahje të madhe nga unë dhe stafi. Në këto situata, që luhet ndeshja më e rëndësishme për ne duhet të jenë të qetë, mos kenë emocione negative, mos shkojnë në luftë të gabuar. Nuk është rezultat i thellë me Egnatian, duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta mbyllim me sukses nesër.

Nuk kemi siguruar as kampionatin as Kupën. Mendojmë që do ta përballojmë pozitivisht me Egnatian. Është e kotë të bësh parashikime për këto ndeshje, por shpresoj ta mbyllim brenda 90 minutave. Çdo ekip ka një moment kur është forma e dobët e lojtarëve, nuk kemi ndonjë problem tjetër. Do mundoheni të bëjmë çmos që tju japim kënaqësi tifozëve. Çdo herë tifozët janë një përkrahje e madhe, kur kemi pasur një numër të madh tifozësh, Vllaznia ka luajtur më mirë”, përfundoi timonieri i kuqebluve.

I bindur në forcën e ekipit u shfaq edhe kapiteni Bekim Balaj. Për “bomberin” kuqezi, finalja e Kupës së Shqipërisë është mese e mundur:

“Vijmë për të luajtur ndeshjen e dytë me Egnatian, kërkojmë të kthejmë rezultatin dhe të shkojmë në finale. Nuk mund të them që ka një shkak por jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu si duhet, por si unë dhe skuadra do të gjejmë forcat për të shkuar përpara. Nuk është e lehtë, Egnatia ka treguar një formë të mirë gjatë gjithë kampionatit, por në ndeshjen që kemi luajtur me ata në Shkodër kemi bërë shumë mirë. Nesër pritet të ketë një numër të madh tifozësh të cilët janë një ndihmë shumë e madhe. Kështu si ka shkuar kampionati të le përshtypjen sikur mund të zgjidhet me një ndeshje, por ka ende 4 ndeshje për tu mbyllur. Duhet të bëjmë maksimumin për t’ju marrë këtyre ndeshjeve. Do bëjmë çdo gjë të jetë e mundur dhe lojtarët që zëvendësojnë Hakaj dhe Stojanoviç e dinë peshën e fanellës. Dëshira është e madhe për të shënuar 3 gola, por e rëndësishme është fitorja, do provojmë çdo gjë me ndihmën e tifozëve dhe Zotit. Jam i bindur që këtë sezon pavarësisht luhatjeve, mbështetja e tifozëve ka qenë e madhe dhe ndihma e tyre është e domosdoshme”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: