Hungaria ka paralajmëruar qytetarët e saj se nga muaji shtator do të ashpërsohen masat kundër përhapjes së koeonavirusit. Autoritetet janë duke këshilluar qytetarët që të shmangin pushimet jashtë shtetit nga fillimi i muajit të ardhshëm dhe është duke planifikuar të ashpërsojë masat e kufizimit për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë. Ky fakt është bërë i ditur nga Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

“Situata në Evropë është duke u përkeqësuar ose në versionin më të mirë është duke stagnuar në disa shtete”, ka deklaruar, Gulyas në një konferencë për media, transmeton Reuters.

“Nuk është i mundshëm lehtësimi i masave aktuale të kufizimit. Marrë parasysh se numri i rasteve të infektimit është duke u rritur në disa shtete, rregulla më ashpra do të jenë të nevojshme”, tha ai.

Sipas rregullave aktuale, personat që kthehen nga vendet me shifra të larta të të infektuarve duhet t’i nënshtrohen karantinës për 14 ditë, përveç nëse kanë dy teste negative për koronavirus.

Hungaria ka raportuar për 5,002 raste të infektuara me koronavirus, ndërsa 609 persona kanë vdekur.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: