“Është konsideruar nga vetë studentët si bibla e Komunikimit, ndoshta edhe për shkak të strukturimit si i tillë, ku disa seksione janë konceptuar thuajse në formën e urdhëresave për ushtrimin e Komunikimit në mënyrën e duhur, duke rrëzuar shumë nga keqkuptimet ose mitet që e rrethojnë procesin e Komunikimit”.

Për dekanen e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, Belina Budini, ky do të ishte një prezantim i shkurtër i librit “Hyrje në komunikim-Udhëzues për studentë, gazetarë dhe profesionistë të komunikimit” një libër me autorë, Ronald B.Adler, George Rodman, Athena du Pre. Botimi ka ardhur në gjuhën shqipe nga “Uet Press” më pasthënie nga Belina Budini.

Budini e cilëson një libër kanonik, universal për të kuptuar komunikimin si disiplinë praktikë dhe profesion. “Është përdorur nga me shume se 1 milion studentë në botë ndër vite, duke qenë se ky është botimi i tij i 14-të nga Oxford University Press dhe UET Press ka fituar të drejtat e autorit për botimin e tij në gjuhën shqipe. Pra është një manual universal i Oxford University Press për të kuptuar komunikimin”, vërejti Budini.

Këndvështrimi kritik dhe etik për komunikimin është një nga asetet e këtij libri, tha Budini, duke shtuar se kjo bën atë me vlerë shpjeguese, analitike, pa e humbur vlerën praktike, pasi ofron gjithnjë krahas një reflektimi, edhe një listë rekomandimesh apo taktikash për sukses.

Botimi i tij i plotë mundësohet për herë të parë me kontributin si përkthyes te një grupi te apasionuar pedagogësh të Departamentit të Komunikimit ne UET, si Dritan Idrizi, Marisa Dhoska e Irena Myzeqari, si edhe ndihme financiare te Autoritetit te Mediave Audiovizive.

Budini, vëren se botimi merr në shqyrtim të gjitha llojet e regjistrave apo konteksteve të komunikimit që nga ai i brendshëm me veten ose përsiatja filozofike, tek komunikimi ndërvetor në regjistrin psikologjik, tek regjistri sociologjik i komunikimit të grupit, dhe më tej, tek ai i lidhur me organizatat ku gërshetohet me menaxhimin dhe burimet njerëzore, dhe deri tek komunikimi masiv dhe komunikimi publik apo komunikimi politik, si edhe së fundmi, ai i lidhur me mediat dhe teknologjitë e reja, që bien në regjistrin dhe fokusin e vetë shkencave të komunikimit, gazetarisë dhe studimeve kulturore.

“Libri ka një aparat të sofistikuar didaktik, me vlerë të jashtëzakonshme për pedagogët vetë si edhe për studentët. Ka kryesisht shembuj e modele krahasimi të shoqërive perëndimore, por me një konceptim universal të tyre”, tha Budini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb