Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sërish me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviçin, në rigjykimin ndaj tij për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Bajroviç u shpall fajtor për pjesëmarrje në krimet e kryera në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe zona të tjera të Komunës së Istogut në maj të vitit 1999. Çështja ishte kthyer për rigjykim nga Gjykata Supreme vitin e kaluar, ndërsa edhe në korrik 2024 ai ishte dënuar me të njëjtën masë, vendim i cili më pas ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktgjykimit, më 7 dhe 8 maj 1999, Bajroviç mori pjesë në një aksion të forcave serbe kundër popullsisë civile shqiptare në zonën e Istogut. Gjatë operacionit, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të niseshin në drejtim të Shqipërisë.
Gjykata konstatoi se Bajroviç ndau burrat dhe gratë nga kolona e refugjatëve, i plaçkiti dhe më pas, së bashku me forcat serbe, i dërgoi në një shtëpi në Staradran, ku u ekzekutuan të paktën 16 civilë shqiptarë.
Po ashtu, sipas vendimit, më 7 maj 1999 ai mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë. Pasi u morën paratë dhe sendet me vlerë, ata u dërguan në një lokal në Gurrakoc, ku u torturuan dhe u maltretuan në mënyrë çnjerëzore.
Një ditë më vonë, më 8 maj, të ndaluarit u transferuan në stacionin policor të Gurrakocit, ndërsa sipas gjykatës, kolonës i printe vetë Bajroviç.
Në dënimin prej 12 vitesh do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke nisur nga 19 tetori 2022.
Lufta në Kosovë la pas mbi 13 mijë viktima civile, shumica shqiptarë, ndërsa mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
