Pas tre vitesh në kërkim, është arrestuar sot në Belgjikë për llogari të Shqipërisë, kreu i klanit famëkeq “Duka”, Leonard Duka.

37-vjeçari fshihej në një banesë private në një provincë të Belgjikës, Wemmel, ndërsa tashmë pritet që të ekstradohet drejt Shqipërisë. Duka akuzohet si vrasësi i ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 2019 në Tiranë.

Ndërkohë grupi i Leonard Dukës ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Ervis Martinajn, ndërsa siç raporton për BalkanWeb gazetarja Klodiana Lala, Duka ka organizuar dhe një plan për ekzekutimin e “mbretit të lojërave të fatit”, pasi Martinaj i kishte marrë peng babanë të cilin ia kishte keqtrajtuar.

Po pasi i dështoi skenari për eliminimin e Martinajt, në shenjë hakmarrje ka lënë të vdekur Santiago Malkon, duke e ekzekutuar me breshëri plumbash nga një furgon në lëvizje në rrugën “Xhanfize Keko”, ngjarje e cila shkaktoi panik tek qytetarët.

Më herët nga klani i 37-vjeçarit janë arrestuar Blendi Teta, dhe Ilir Selmani, të akuzuar për implikim në vrasjen e Malkos.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Provinca”.

Operacioni, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albanaia, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët e Fast Belgjikës dhe midis ZQK Interpol Tirana e zyrës homologe të Interpol Brukselit.

Kapet nga Fast Belgjika, në një provincë të Brukselit, një shtetas shumë i kërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.

Në vijim të punës për grumbullimin e informacioneve, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albania, për vendodhjen e një të shumëkërkuari që fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit, menjëherë kanë shkëmbyer informacion me Fast Belgjikën, të cilët në kuadër të operacionit policor të koduar “Provinca“, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin e shumëkërkuar L. D., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi L. D. ishte i shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ky shtetas dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së shtetasit S. M., të ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb