Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas kosovar me inicialet F.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Arrestimi është kryer në pikën kufitare të Merdarës, në Podujevë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje mbi aktivitetet për të cilat dyshohet i arrestuari, ndërsa nuk është konfirmuar nëse rasti lidhet me ndonjë shërbim të huaj inteligjence.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vijojë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Sipas legjislacionit të Kosovës, spiunazhi konsiderohet vepër e rëndë penale dhe, në rast të shpalljes fajtor, parashikohet dënim me të paktën pesë vjet burgim.

Arrestimi i fundit vjen në një periudhë kur autoritetet kosovare kanë zhvilluar disa hetime dhe arrestime të tjera nën dyshimet për veprimtari spiunazhi në favor të shërbimeve serbe të inteligjencës.

Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë spiunazhin një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës, pasi mbledhja dhe transmetimi i informacionit të ndjeshëm mund të cenojë sigurinë e institucioneve dhe të krijojë rreziqe për stabilitetin e vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb