TIRANE- Qytetarët e Tiranës i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit kryebashkiakut të parë të kryeqytetit të pas viteve ‘90, Sali Kelmendi.

Homazhet në nder të ish kryebashkikut Sali Kelmendi janë mbajtur në ambientet e Muzeut Kombëtar prej nga ku miq, shokë dhe kolegë të tij janë përulur me nderim dhe respekt për të fundit herë përpara trupit të pajetë të tij.

Në homazhe ka marrë pjesë dhe kryebashkiaku i Tiranës njëherazi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish kryeministri Berisha, deputetë dhe eksponentë të lartë të Partisë Demokratike dhe të opozitës si dhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

“Sot, përkulem me nderim dhe respekt të thellë para kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës, të zgjedhur me votë lirë dhe demokratike z.Sali Kelmendi. Një njeriu, një qytetari, kryefamiljari dhe qytetarit të parë të Tiranës, i cili si për familjen, për komunitetin ashtu edhe për qytetarët e Tiranës e pati gjithmonë derën e hapur dhe zemrën e ndjeshme. Shërbeu me devocion, me përkushtim në kohë të vështira, kufizimesh të mëdha, mundësish të pakta, nevojash dhe sfidash të mëdha për qytetin e Tiranës dhe për qytetarët e këtij qyteti dhe e vazhdoi këtë shërbim si nëpunës civil i qytetit i rangut më ekselent, deri në fund. Qytetarët e Tiranës do të jenë përjetë mirënjohës njeriut që vuri themelet e llogaridhënies demokratike, njeriut që shërbeu duke mos harruar për asnjë çast qytetarin, hallet dhe problemet e tij, vështirësitë e tij, duke mos harruar asnjëherë të dëgjojë, e t’i shohë këto probleme edhe kur mundësitë për t’ju ardhur në ndihmë ishin të kufizuara. Pra, kryeqytetarin që në radhë të parë ishte njeri, me zemrën e dhembshur por me një vullnet dhe integritet të palëkundur për të nisur rrugën e transformimeve demokratike në kryeqytet. U prehtë në paqe! Ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë miqve të tij të shumtë”, tha Basha.

Në emër të Këshillit Bashkiak të Tiranës kurora me lule është vendosur nga kreu i këtij këshilli z. Aldrin Dalipi.

Në homazhe nuk ka marrë pjesë asnjë drejtues i lartë i qeverisë apo Partisë Socialiste përjashtuar një kurorë me lule që mbante emrin e kryeministrit Rama.

Ish kryetari i Parë i Bashkisë së Tiranës post komuniste Sali Kelmendi 68-vjec, ndërroi jetë një ditë më parë në shtëpinë e tij në Tiranë si pasojë e një ataku kardiak.
Kelmendi lindi në Tiranë në 31 maj 1947. I diplomuar në inxhinjeri, Kelmendi u angazhua në politikë që në fillimet e demokracisë ku njihet dhe si një nga themeluesit e Partisë Demokratike në vitin 1990. Dy vite më vonë inxhinjer Sali Kelmendi do të zgjidhej në mënyrë demokratike në postin e kryebashkiakut të kryeqytetit pas zgjedhjeve vendore të korrikut 1992.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: