Christa Pike, 50-vjeçarja që i mbijetoi një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës në shtetin e Tennessee, SHBA, është liruar nga spitali dhe është kthyer në burg, ku ka kaluar më shumë se 30 vjet.

Lajmi është bërë i ditur nga avokatët e saj, të cilët konfirmuan se Pike ndodhet sërish në Qendrën e Rehabilitimit Deborah K. Johnson në Nashville. Ajo do të vijojë të marrë kujdes mjekësor, ndërsa ekipi i saj ligjor do të monitorojë gjendjen shëndetësore dhe procesin e rikuperimit.

“Christa Pike është liruar nga një spital lokal dhe tani ndodhet në Qendrën e Rehabilitimit Deborah K. Johnson, ku është mbajtur për më shumë se 30 vjet”, deklaruan avokatët e saj.

Vetëm pak ditë më parë, mbrojtja kishte bërë të ditur se 50-vjeçarja kishte nisur të ngrihej nga shtrati dhe të ecte, megjithëse shfaqte shenja konfuzioni dhe probleme me kujtesën.

Pike ishte planifikuar të ekzekutohej më 30 shtator, për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995. Megjithatë, procedura nuk shkoi sipas planit. Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura nga avokatët e saj, asaj iu administruan dy doza të ilaçeve vdekjeprurëse, por ajo vazhdoi të merrte frymë për gati një orë.

Sipas dëshmive të cituara në raportimet mediatike, Pike vazhdonte të fliste dhe të merrte frymë pas administrimit të ilaçeve. Avokatët pretenduan se personeli u përpoq për rreth një orë të gjente një venë të përshtatshme për injektimin, duke përdorur të paktën shtatë gjilpëra vetëm në krahun e majtë të saj.

Mbrojtja deklaroi gjithashtu se, pas injektimit të dytë, krahu i saj kishte marrë ngjyrë vjollcë dhe se, kur mbërriti në spital, të dyja duart ishin të fryra dhe me flluska.

Dy ditë pas procedurës, avokatët raportuan se Pike ndodhej në gjendje kritike në një spital të zonës së Nashville, ku mjekët po përpiqeshin të trajtonin pasojat e ekspozimit ndaj pentobarbitalit, substancës së përdorur në protokollin e ekzekutimit.

Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje, ky ishte rasti i parë i njohur i një personi që i mbijetonte administrimit të një doze vdekjeprurëse ilaçesh gjatë një ekzekutimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb