Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Tenesi të SHBA-së ka dështuar, pasi e dënuara me vdekje, Christa Pike, mbijetoi dhe rifitoi vetëdijen pas marrjes së dy dozave të pentobarbitalit. Pike, 50 vjeçe, iu nënshtrua ekzekutimit më 30 shtator, por procedura nuk përfundoi siç ishte planifikuar. Ajo ishte dënuar me vdekje për rrahjen dhe vrasjen me thikë, në vitin 1995, të njhë tjetër të burgosure, Colleen Slemmer.
Avokatët e Pike kanë deklaruar se ajo është e vetëdijshme, flet dhe po merr trajtim mjekësor në spital. Sipas tyre, gjendja e saj mbetet e paqartë dhe pritet një periudhë e gjatë rikuperimi. Ata kanë bërë gjithashtu të ditur se duart e saj kanë pësuar djegie dhe janë mbushur me flluska gjatë përpjekjes për injektimin e substancave, ndërsa ajo vijon të qëndrojë e prangosur në shtratin e spitalit.
Pike besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pasi i janë administruar substanca në kuadër të një ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës. Avokatët e saj pritet të paraqiten në gjykatë për të kërkuar informacion të detajuar nga Departamenti i Korrektimit të Tenesit lidhur me dështimin e procedurës. Gjykata ka planifikuar një konferencë për të diskutuar zhvillimet e çështjes. Mbrojtja kërkon gjithashtu që gjykata të urdhërojë sistemin e burgjeve të ruajë të gjitha provat dhe të dhënat që lidhen me ekzekutimin e tentuar, përfshirë numrat e lotit të barnave, gjilpërat dhe regjistrat e ekzekutimit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorit të Përgjithshëm të Tenesit kanë argumentuar se një urdhër i tillë nuk është i nevojshëm, pasi sistemi i burgjeve është tashmë i detyruar të ruajë këto materiale. Guvernatori i Tenesit, Bill Lee, e ka cilësuar incidentin si “thellësisht shqetësues” dhe ka urdhëruar një shqyrtim të pavarur për të përcaktuar se çfarë ndodhi gjatë procedurës. Për shkak të incidentit, ai ka shtyrë edhe ekzekutimin tjetër të planifikuar në shtet për këtë vit.
Ekspertët mjekësorë dhe specialistët e procedurave të injeksionit vdekjeprurës kanë ngritur dyshimin se problemi mund të ketë ardhur nga linja intravenoze. Sipas këtij skenari, barnat mund të jenë grumbulluar në indet përreth, në vend që të hynin siç duhet në qarkullimin e gjakut. Avokatët e Pike pretendojnë se asnjë prej anëtarëve të ekipit të ekzekutimit nuk e kuptoi gjatë procedurës se linjat intravenoze nuk ishin vendosur siç duhet ose se venat ishin dëmtuar.
