Familjaret e 89-vjeçarit që humbi jetën pas dhunës së grabitësve që hynë për ta vjedhur në banesë, deklarojnë se kjo nuk është hera e parë që i moshuari bie pre e grabitjes.

Nipi i Çaush Shehajt, që mbeti viktimë, tha se daja i tij jetonte me gruan e moshuar në banesë dhe se fëmijët i kishte emigrantë në Greqi.

Ai kërkoi drejtësi.

“Jam djali i motrës. Është rasti i dytë i grabitjes. Është i njëjti person që ka bërë të njëjtën gjë. Ka shkuar një herë policia, i ka marrë ato shenjat e gishtave dhe s’u bë gjë radhën e parë. I morën çiften dhe vajtën i bënë këtë që i bën dhe sot humbi jetën nga plagët. Ai jetonte bashkë me gruan, por është e sëmur. Ka fëmijë, por janë emigrant në Greqi, ka dy djem dy vajza. Ne duam drejtësi, shteti të vërë dorë!”, tha nipi i viktimës për gazetarin e News24 Ervis Kuçi.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të informacionit për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e datës 19.11.2022, në fshatin Klos, Mallakastër, ku shtetasit E. H. dhe M. G. (të arrestuar nga Policia, disa orë pas ngjarjes), nën kërcënimin e armës dhe dhunës, i morën një shumë parash shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë paraditen e sotme, sqarojmë se:

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vepra penale është riklasifikuar “Vjedhja me pasojë vdekjen” parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.

Gjithashtu, sqarojmë se edhe për vjedhjen e ndodhur më datë 18 mars 2021, në banesën e shtetasit Ç. Sh., Policia e Mallakastrës, pas denoncimit të bërë nga shtetasi Ç. Sh., ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20 mars 2021, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb