Refuzimi që i bëri një djali i cili i kërkoi lidhje për pak sa nuk i ka marrë jetën një vajze në Tiranë. 30­vjeçarja me banim në lagjen “Ali Demi” ka refuzuar disa herë një mashkull i cili i tërbuar nga refuzimi e ka qëlluar disa herë me thikë në bark dhe më pas e ka çuar vetë në spital.

Ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe është mësuar nga policia vetëm pasi e dëmtuara është paraqitur për mjekim në Spitalin e Traumës.

Burime nga policia e kryeqytetit thanë se e plagosura është A.E, 30 vjeç, ndërsa në bazë të deklarimeve të saj paraprake autor i dyshuar i ngjarjes është 45­vjeçari Ervin Kora.

Ai është shpallur në kërkim policor me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa A.E. vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës.

Burime nga grupi hetimor thanë se A.E. ka qenë duke u kthyer për në shtëpi, në rrugën “Dhimitër Kamarda”, në afërsi të zonës së “Ali Demit”, kur është ndeshur me të dyshuarin Ervin Kora.

Sipas dëshmisë së 30 vjeçares, ai ka qenë i dehur në momentin që është përballur me të. Pasi ka debatuar për pak çaste, ai i ka nxjerrë nga xhepi një thikë dhe i ka thënë se do ta vriste.
Pa i lënë kohë të përgjigjej, e ka goditur disa herë në bark. Më pas, e plagosura thotë se ka qenë vetë autori që e ka hipur në një taksi dhe e ka nisur për në Spitalin e Traumës, ndërsa vetë është larguar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: