TIRANË- Dejvis Rrustemaj, 27 vjeç është arrestuar nga policia e Tiranës si autor i një atentati të ndodhur dy ditë më parë në “Komunën e Parisit”, ku mbeti i plagosur 25-vjeçari Lorenc Hoxha. Por kush është Dervis Rrustemaj? Mësohet se ai i ka shpëtuar edhe vetë një atentati të ndodhur në fillim të majit në kryeqytet në zonën e Kinostudios.

Ai u tentua të vritej pasditen e 4 majit, para një bilardoje që ndodhet në afërsi të një xhamie në rrugën “Xhanfize Keko”, mes Kinostudios dhe Porcelanit. Policia tha se Rrustemaj njihej si person me precedentë të mëparshëm penalë dhe ngjarja më e fundit për të cilën ai u hetua ishte kanosja e djalit të biznesmenit të karburanteve, Ilias Fisheku.

Rrustemaj, u qëllua me armë nga dy persona që lëviznin me motor. 26-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, “kanosje”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”.

Ai është qëlluar me armë zjarri, duke u plagosur në pulpën e këmbës së majtë, duke i shkaktuar thyerje të kockës.

“Nga dëshmia e dhënë nga shtetasi i plagosur dhe nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes është mësuar se dy persona i janë afruar me një motor me ngjyrë të zezë dhe me skafandra në kokë, ku pasagjeri i motorit ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka qëlluar në këmbë 26- vjeçarin”, tha policia.

Krimi u hetua në pistën e një hakmarrje të mundshme në lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015. Në këtë kohë, më 22 shtator të vitit 2015, Rrustemaj, në bashkëpunim me shokun e tij, Anxhelino Çervanaku, kanë kanosur me armë Andi Fishekun, djalin e një biznesmeni të naftës, për një borxh prej 1 mijë eurosh që nuk ua kishte kthyer. Për plagosjen e Rrustemaj, policia shpalli në kërkim një 31-vjeçar me inicialet B.S.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb