TIRANË

Zbulohet emri i personit që ishte bashkë me Orges Bilbilin, 30-vjeçarin nga Lushnja të dyshuar për disa krime që u plagos dhe u arrestua dje nga policia pasi tentoi të ngrinte armën kundër një efektivi të forcave “Shqiponja”.

Gazetarja Klodiana Lala në një bisedë në studion e News24, zbuloi detaje të reja nga ngjarja e djeshme, ku mbeti e plagosur dhe një kalimtare e rastit.  Ajo tha se Bilbili me shokun e tij kishin marrë një shtëpi me qira në rrugën “Sitki Çiço” me anë të një personi të tretë. Lala tha se polici që bëri të mundur kapjen e tij meriton vlerësimin dhe respektin e të gjithëve.

“Anterio Kaloshi ka qenë në shoqërinë e Bilbilit. Me anë të një personi të tretë kishin arritur të merrnin banesën me qira. Qëndronin aty të izoluar për shkak të masave të sigurisë për pandeminë.

Polici vërtetë ka bërë detyrën dhe ka treguar se në mesin tonë kemi njerëz që meritojnë mirënjohje. Ai polic duhet nderuar. Mund të ishte vrarë në atë ngjarje pasi Orges Bilbili është një person shumë i rrezikshëm, i dyshuar për disa vrasje. Punonjësi i policisë meriton respektin e të gjithëve.

Masat kufizuese kanë dhënë një efekt pozitiv sepse Orges Bilbili ra në pranga falë një kontrolli për lejen e daljes”, deklaroi Lala, raporton “BalkanWeb”.

Orges Bilbili u dënua si bashkëpunëtor i Giorgio Riformatos. 30-vjeçari nga Lushnja Orges Bilbili ka arritur t’u shpëtojë 14 operacioneve policore që janë ndërmarrë për arrestimin e tij. Ai akuzohet për një vrasje të dyfishtë dhe ishte në listën e personave të kërkuar nga Policia shqiptare i dënuar në mungesë me 7.4 vjet heqje lirie.

Bilbili akuzohet për vrasjen në vitin 2017 të shtetasve Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, të cilët njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit).

Ky i fundit mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu, 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e djeshme.
Për ngjarjen e vitit 2016, ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç. Ky i fundit dyshohet se bashkë me Orges Bilbilin kanë vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009.

Orges Bilbili është dënuar me 7. 4 vjet burgim për trafikim lëndësh narkotike dhe është shpallur nga policia person në kërkim si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato për drogën e Divjakës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb