Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e tij për zgjedhjet lokale të 14 majit për bashkinë e Vlorës, Hysni Sharra.

Mes të tjerash Berisha tha se paratë e mbledhura nga taksat e shqiptarëve vidhen, dhe se një nga metodat për diçka të tillë është ndërtimi i rrugëve me kosto më të larta seç duhej.

Ai tha se rruga nga hyrja e Vlorës gjer në Levan, me gjithë urat mbi Vjosë është ndërtuar me 2.3 mln euro kilometri, me para të bankave europiane.

Berisha shtoi se ndërkohë kryeministri Edi Rama ndërton rrugën në fushë me 24 mln euro kilometri.

“Kjo rrugë që keni ju, nga hyrja e Vlorës gjer në Levan, me gjithë urat mbi Vjosë është ndërtuar me 2.3 mln euro kilometri, me para të bankave europiane. Sa e ndërton rrugën në fushë Edi Rama, 24 mln euro kilometri.
Greqia po ndërton autostradën Janinë-Kakavijë me 4 mln euro kilometrin, Edi Rama po ndërton rrugët anësore Lekaj-Fier, me 7.2 mln euro kilometri. Por këto janë para tuaja, që merren nga kafshata juaj, djersa juaj, e fermerëve, e punonjësve edhe e atyre që nuk punojmë se të gjithë paguajmë TVSH-në në ato që blejmë. Atëherë a mund të ecim ne në këtë rrugë të përgjumur? Jo kurrë, është në detyrimin tonë”, ka deklaruar Berisha.

Berisha foli edhe në lidhje me tunelin e Llogarasë.

“Vjen në Vlorë, ky sheshi këtu nuk është vetëm i Vlorës por i mbarë kombit. Ky vjen pa pyetur njeri. Pa asnjë konsultë me ju, pa asnjë konsultë mbarëkombëtare Shkatërron sheshin. Ndërton një objekt që duket si kasaphanë kuajsh. E gjeti ky. Shkon shkatërron sheshin që ishte simbol i qytetit. Ia lidhi sytë Llogarasë me tunelin. Por Vlora dhe Shqipëria pamje më magjepsëse se nga Qafë Llogaraja nuk ka. Më erdhën mua të bëjnë tunelin. Jo i thashë Llogarasë nuk ia lidh sytë unë. Kushdo të vijë këtu të dalë njëherë të shohë sa bukur është. Ky shkoi zgjidhi tunelin që vjedh më shumë, tunelin 7 km. Ka kushtuar pothuaj dyfishi i tunelit të Kalimashit. Se ndan paratë me kompaninë. Është koha me Hysni Sharrën të cilit unë i shpreh besimin më të plotë. Kam kënaqësinë më të madhe që ky është kandidati juaj, i zgjedhur nga ju”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb