Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, kërkon mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak të Vlorës. Shkak është përfundimi i afatit për administrimin e klubit. 31 korriku është edhe data përfundimtare e administrimit dhe pas kësaj date, kompanitë turke nuk kanë më të drejtë të menaxhojnë klubin.

Gjendur në këtë situatë, “Panorama Sport” mëson se Idrizi i ka dërguar një letër Bashkisë së Vlorës, ku kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak. Përfundimi i kontratës pas 6 ditësh duket se është edhe një ndër shkaqet që Flamurtari ka stopuar në merkato, duke ulur ndjeshëm ritmin, pavarësisht se e nisi me pompozitet duke prezantuar në stol edhe trajnerin kampion të sezonit të kaluar Ilir Dajën.

Idrizit i duhet tashmë që të zgjidhë këtë problem dhe të shtyjë administrimin e klubit, me qëllim që të vijojë të funksionojë normalisht. “Duke qenë se më 31 korrik përfundon afati që na është vendosur për administrimin e klubit, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak me qëllim që të na jepet mundësia për vijimin e punës normalisht, duke qenë se jemi duke u përgatitur për sezonin e ri futbollistik dhe jemi në periudhë merkatoje”, shkruhet ndër të tjera në letrën e klubit depozituar në Bashki.

KONFIRMIMI
Administratori ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” kërkesën drejtuar Bashkisë së Vlorës për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, me qëllim miratimin e shtyrjes së afatit të administrimit të klubit. Ai nuk ka preferuar që të komentojë gjatë, por ka konfirmuar kërkesën për zhvillimin e mbledhjes. “I kemi dërguar bashkisë një letër, ku kërkojmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pasi më 31 korrik përfundon afati i administrimit të klubit”, u shpreh shkurtimisht Idrizi.

Ky i fundit, shpeshherë ka kërkuar zgjidhje përfundimtare të çështjes së privatizimit të Flamurtarit. Por, mesa duket, kompanitë turke edhe këtë sezon të ri do të duhet ta kenë në administrim klubin. Më 31 korrik përfundon kontrata dhe pritet që Këshilli Bashkiak të zhvillojë një mbledhje jashtë radhe për diskutimin vetëm të privatizimit të Flamurtarit. Në këtë mbledhje do të jetë i pranishëm edhe administratori Sinan Idrizi, i cili pritet që të mbajë një analizë të ecurisë së Flamurtarit dhe administrimit të klubit gjatë sezonit 2017-2018.

MBLEDHJA
Sot Këshilli Bashkiak i Vlorës zhvillon mbledhjen e radhës. “Panorama Sport” mëson se kërkesa e Klubit të Futbollit Flamurtari për shtyrjen e afatit të administrimit nuk është përfshirë në rendin e ditës. Sot, në rendin e ditës është vetëm kërkesa e Klubit të Futbollit Orikumi për shtimin e buxhetit me 35 milionë lekë të vjetra, duke qenë se kaloi në Kategorinë e Parë. Këshilli Bashkiak, në fillim të vitit akordoi 80 milionë lekë të vjetra për Orikumin, ndërsa duke qenë se klubi u ngjit një kategori më lartë, kërkon buxhet shtesë. Gazeta zbardh kërkesën e plotë të Orikumit drejtuar bashkisë.

“Në zbatim të statutit të K.F Orikumi si dhe të rregullores së veprimtarisë futbollistike Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë, parashtrojmë çështjen që vijon si më poshtë: Klubi arriti objektivin e vendosur për këtë sezon, atë të kalimit në Kategorinë e Parë. Por Kategoria e Parë kërkon disa kritere të vendosura nga FSHFja. Në këtë kuadër, për t’u prezantuar sa më denjësisht në këtë kategori së bashku me ekipet e moshave, para të rinj dhe të rinj, lind si domosdoshmëri shtimi i buxhetit. Për sa më sipër, kërkojmë nga Bashkia e Vlorës, si aksioneri i vetëm i shoqërisë, shtimin e buxhetit në vlerën 3.500.000 lekë për 6 muajt e mbetur të vitit 2018. Qëllimi i këtij planifikimi për shtim të fondeve është tërheqja e financimeve dhe investimeve të nevojshme për të realizuar objektivat. Slogani ynë për sezonin e ri është “Bashkë më të fortë”, thuhet në materialin e Orikumit.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/idrizi-kerkese-per-zgjatje-te-kontrates-se-administrimit-rikthehet-tensioni-me-bashkine/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb