VLORË- Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka zhvilluar sot një takim me strukturat në Vlorë nga ku ka deklaruar se PDIU do të jetë pjesë e qeverisë. Idrizi ka folur edhe për deputetin Dashamir Tahiri, i cili ka dalë kundër koalicionit të PDIU-së me PS-në. Idrizi tha se “Tahiri mesa duket ka një axhendë tjetër me atë të kryetarit të PDIU”. Ndër të tjera në takim Idrizi ka deklaruar se PDIU është “një”, përpos qëndrimeve të deputetit Tahiri.

Sipas Idrizit në PDIU do të ketë përfaqësi në qeveri, pasi do të kërkojë postin e zv/ministrit të Jashtëm. “Do kërkojmë zv/ministrin e Jashtëm. PDIU rikonfirmohet një forcë politike e fortë. Jemi koalicion, do mbështesim koalicionin. Deputeti Dashamir Tahiri ka një axhendë tjetër. Tahiri s’është në linjën e kryetarit të PDIU. PDIU është “një” edhe pse Tahiri nuk është. PDIU do të ketë përfaqësi në qeveri”, tha Idrizi në takim me strukturat në Vlorë.

Idrizi hodhi poshtë zërat se PDIU do të kërkojë Portin e Vlorës. “Nuk është e vërtetë që do të kërkojmë drejtorinë e Portit të Vlorës”, theksoi ai. Takimi i Idrizit në Vlorë vjen një ditë para vizitës që pritet të zhvillojë nesër deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri, i cili nuk e ka pranuar marrëveshjen që kreu i kësaj partie, Idrizi ka bërë me PS-në.

Gjatë prezantimit të kandidaturës së PD për Vlorën, deputeti Dashamir Tahirit u shfaq në krah të Lulzim Bashës dhe bëri thirrje që qytetarët të votojnë kandidatin e PD-së dhe të djathtën.

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb