VLORE– PDIU mbyll fushatën elektorale në qytetin e Vlorës, ndërsa në këto zgjedhje është pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Në fjalën e tij, Shpëtim Idrizi dha mesazhin se harmonia ndërfetare në vendin tonë është vlera jonë e shkëlqyer. Kreu i PDIU-së u ndal edhe tek çështja Çame, duke u shprehur se kjo nuk është një çështje as e majtë e as e djathtë, por është një kauzë e drejtë.

“Ne do të buçasim nesër në salla e zyra institucionesh. Do të japim zgjidhje për qytetarët shqiptarë. Ne vendosëm të ndjekim një vizion të ri. Jemi të vetmit në këto zgjedhje që paraqitëm një program të detajuar. Ne hymë në këto zgjedhje me një aleat të ri, dhe na u desh të bënim disa sqarime për këtë. Por PDIU dhe ASHE do të ketë një fitore të jashtëzakonshme. Çështja çame nuk është as e majtë dhe as e djathtë. Çështja çame është e drejtë, dhe ne morëm vendimin e drejtë. Vendosëm të ndjekim drejtësinë për zgjidhjen e çështjes çame. Ne nuk bashkohemi me asnjë parti, por bashkohemi me zemrën e çdokujt që i sheh të gjithë shqiptarët bashkë pa asnjë dallim. Do ta çojmë në fund amanetin e të parëve tanë”, tha Idrizi.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb