Në takimin e radhës të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, që po zhvillohet në Tiranë, deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ngriti shqetësime lidhur me industrinë e mbrojtjes, trafikun e armëve dhe aferat e pretenduara rreth kompanive të sektorit.

Gjatë fjalës së tij, Cara iu referua edhe audiopërgjimeve të publikuara në emisionin “Çim Peka Live”, ku përmendet biznesmeni Ron Yeffet, të cilin deputeti e cilësoi si mik të kryeministrit Edi Rama, si dhe lidhjeve të pretenduara me kompani ku shteti shqiptar zotëron 20 për qind të aksioneve.

“Ka shqetësime reale dhe përgjime të publikuara në media që përfshijnë Roni Yeffet, mikun e Ramës, si dhe lidhjet e tij të pretenduara me kompani ku shteti shqiptar zotëron 20%. Përgjimet janë skandaloze. Faktet kërkojnë përgjigje”, deklaroi Cara.

Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike dhe kërkoi transparencë në proceset që lidhen me industrinë e mbrojtjes.

“A ndodh, të nderuar zotërinj europarlamentarë, që në vendet tuaja paratë publike të shpërndahen pa garë, pa konkurrencë?”, u shpreh ai.

Cara theksoi se nuk po kërkon që në takim të shpallet fajtor ndonjë person, por që pretendimet e bëra publike të verifikohen përmes hetimit institucional.

“Nuk po kërkoj që në këtë sallë të shpallim fajtor askënd, por hetim, transparencë dhe llogaridhënie. Kur bëhet fjalë për industrinë e mbrojtjes, pasurinë shtetërore dhe sigurinë kombëtare, përgjigjja duhet të ishte hetimi, jo heshtja”, tha deputeti.

Fjala e plotë e Igli Carës

Sot përballë parlamentarëve evropianë për të treguar të vërtetën e Shqipërisë! Jashtë letrave dhe propogandës së Ramës!

Të gjitha raportet ndërkombëtare sot flasin për të kundërtën e asaj që marketon qeveria. Sot në Shqipëri kemi rreth 150 mijë çështje gjyqësore që janë në pritje dhe një qytetari shqiptar i duhet të presë deri në 15 vjet për një vendim përfundimtar.

Në të njëjtën kohë përballemi me një tjetër sfidë të nderuar, me krimin e organizuar. Sipas vlerësimeve të institucioneve europiane të sigurisë, organizatat kriminale shqiptare janë shndërruar në aktorë transnacionalë, me kapacitete të konsiderueshme ekonomike.

Shqetësimi nuk lidhet vetëm me aktivitetin kriminal, por edhe me depërtimin e parave të krimit në ekonominë legale, veçanërisht në ndërtimin e pasurive të paluajtshme.

A ndodh ky fenomen tek vendet tuaja, të nderuar? Ka shqetësime reale dhe përgjime të publikuara në media që përfshijnë Ron Yeffet, mikun e Ramës, si dhe lidhjet e tij të pretenduara me kompaninë ku shteti shqiptar zotëron vetëm 20 për qind.

Përgjimet janë skandaloze, faktet janë ulëritëse, pasi ky individ jo vetëm që flet në emër të qeverisë, por sot ai zotëron dy kompani kryesore në industrinë e mbrojtjes.

A ndodh, të nderuar europarlamentarë, në vendet tuaja që paratë publike të shpërndahen pa garë, pa konkurrencë?

Pyetja që shtrohet është: a po hetohen vetëm individët, apo edhe lidhjet, financuesit dhe pasuritë që qëndrojnë pas tyre? Sepse një organizatë kriminale mposhtet vetëm kur i hiqen paratë, pasuritë dhe ndikimi politik e ekonomik.

Dhe këtu, në fakt, ne kemi kërkuar dhe komision hetimor një të drejtë kushtetuese të opozitës. Në shumë raste nuk na është dhënë, të nderuar europarlamentarë. A ndodh kjo në vendet tuaja, që opozitës t’i hiqet e drejta për komision hetimor, një e drejtë kushtetuese?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb