Anëtari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), Rihards Kols, ka reaguar ashpër për situatën në Shqipëri, duke kritikuar përdorimin e dhunës policore ndaj studentëve dhe të miturve, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. Në një reagim, Kols vë në dukje kontrastin mes imazhit që Shqipëria përpiqet të përcjellë në Bruksel, si një aleate e besueshme e NATO-s dhe një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe situatës brenda vendit.

“Shqipëria paraqitet në Bruksel si një aleate e besueshme e NATO-s dhe një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE. Por në vendin e saj, policia përballet me studentët dhe të miturit duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese. Gazetarët dhunohen teksa kryejnë detyrën e tyre”, shprehet Kols.

Ai thekson se NATO dhe Bashkimi Europian janë aleanca të demokracive, të ndërtuara mbi shtetin e së drejtës dhe respektimin e qytetarëve. Sipas tij, përdorimi i gazit lotsjellës kundër studentëve dhe sulmet ndaj gazetarëve bien ndesh me këto parime.

Deklarata
Shqipëria paraqitet në Bruksel si një aleate e besueshme e NATO-s dhe një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE. Por në vendin e saj, policia përballet me studentët dhe të miturit duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese. Gazetarët dhunohen teksa kryejnë detyrën e tyre.
NATO dhe BE-ja janë aleanca demokracish. Të dyja mbështeten te shteti i së drejtës dhe respektimi i qytetarëve. Përdorimi i gazit lotsjellës kundër studentëve dhe sulmet ndaj gazetarëve tregojnë të kundërtën. Vlerat dëshmohen në vendin tënd. Qeveria e Shqipërisë po dështon aktualisht në këtë provë.
T’ua atribuosh zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë “ndërhyrjes së huaj” është një fyerje ndaj tyre. Çdo rast i dhunës policore duhet të hetohet. Shqiptarët duhet të kenë të drejtën të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb