Flamurtari hidhet në “sulm” për Ali Souenë. Drejtuesit kërkojnë të marrin shërbimet e një prej sulmuesve më të mirë të sezonit të fundit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshirë në letër, pasi klubi ka kontaktuar me lojtarin dhe, me sa duket, kanë folur parimisht edhe për termat financiarë.
Por, “bomberi” nga Gambia është tejet i shtrenjtë, ndërsa kujtojmë që te Skënderbeu përfitonte rreth 8 mijë euro në muaj. Mësohet se 24-vjeçari nuk do të zbresë poshtë shifrës që merrte në Korçë dhe tashmë duhet parë nëse kuqezinjtë janë gati që t’ia plotësojnë pretendimet.

Pritet që këtë javë të vendoset çdo gjë mes Souesë dhe Flamurtarit. Afrimi i tij është një kërkesë e bërë prej trajnerit Ilir Daja. Sikundër dihet, sulmuesi luajti në Korçë si i huazuar prej Kievos. Italianët zotërojnë kartonin e tij edhe për një tjetër vit, ndaj, dashur pa dashur, “fatin” e afrikanit e kanë në dorë pikërisht ata. Soue është një lojtar me eksperiencë dhe që mund të përmbushte pritshmëritë që Flamurtari do të ketë për sezonin e ri, kujtojmë që ai në 2013 ka luajtur 7 ndeshje për veronezët, duke shënuar edhe një gol.

Pas këtij sezoni karriera e tij ka kaluar nga një huazim te tjetri, Juve Stabia (2013- 2014, 36 ndeshje dhe 8 gola), Peskara (2014-2015, 11 ndeshje dhe 2 gola), Latina (2015, 13 ndeshje, dhe asnjë gol), Modena (2015- 2016, 8 ndeshje dhe 0 gola), Leçe (2016 Leçe (9 ndeshje dhe 1 gol), Prato (2016-2017, 15 ndeshje dhe 0 gola), Viboneze (2017, 18 ndeshje dhe 6 gola) dhe në fund te Skënderbeu, kur në 33 prezenca e gjeti 21 herë rrjetën.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/daja-hidhet-ne-sulm-per-ali-soue-por-ka-nje-problem/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: