Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka depozituar një kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që çuan në paraburgimin e tij dhe lirimin e menjëhershëm nga masa e “arrestit me burg”.

Në kërkesën zyrtare, Meta argumenton se vendimi i Gjykatës së Lartë, si dhe ato të Gjykatës së Apelit dhe të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë marrë në shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve kushtetuese.
Ilir Meta ka kërkuar shfuqizimin e këtyre vendimeve: Vendimi penal gjyqësor Nr. 57, datë 27.02.2025 i Gjykatës së Lartë
Vendimi penal gjyqësor Nr. 59 (97-2024-333), datë 19.11.2024 i Apelit të Posaçëm. Vendimet Nr. 125 dhe 130, të datave 20 dhe 23 tetor 2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë
Meta pretendon se ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024 pa prova konkrete, pa analizë të rrezikut real dhe me shkelje të të drejtës për një proces të rregullt.
Meta thekson disa pika kyçe në kërkesën e tij: Shkelje e Nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale: mungesë provash të drejtpërdrejta, mbështetje vetëm në raport policor apo informacion inteligjence.
Shkelje e Nenit 42 të Kushtetutës dhe Nenit 6 të KEDNJ: mungesë transparence dhe pamundësia për të ushtruar mbrojtjen në mënyrë të plotë.
Vendime të motivuara dobët, që sipas tij, janë kopje të kërkesave të prokurorisë pa vlerësim të pavarur nga gjykata. Masa e “arrestit me burg” është joproporcionale, për një vepër të dyshuar të kryer vite më parë, pa rrezik aktual.
Në kërkesën e tij, Meta akuzon organet shtetërore për veprim arbitrar dhe dhunë gjatë ndalimit, të shoqëruar me publikim të pamjeve në media, gjë që e cilëson si trajtim poshtërues dhe degradues, përdorim të policisë me maska dhe pa identifikim, pa paraqitur urdhër gjyqësor në momentin e ndalimit.
Ndikim politik në veprimet e Prokurorisë dhe Policisë, duke pretenduar se arrestimi ka synuar të dëmtojë pjesëmarrjen e tij në jetën politike dhe zgjedhjet e ardhshme.
Shkelje të të drejtave për respektimin e jetës private dhe familjare (Neni 8 i KEDNJ), për shkak të mënyrës së ekzekutimit të ndalimit.
Meta thekson se Gjykatat nuk kanë justifikuar rrezikun konkret, nuk kanë marrë parasysh kohën e kryerjes së veprës, as pozitën institucionale të të hetuarit.
Ka mungesë të plotë të arsyetimit për mosaplikimin e masave më të buta, si ndalimi i daljes jashtë shtetit apo detyrimi për paraqitje. Gjykata e Lartë ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, duke e quajtur “recidivist” në një fazë kur ai është ende nën hetim.
Sipas Metës, gjithë procesi i ndalimit dhe vendimmarrja gjyqësore ishin të motivuara politikisht, për të ndikuar në klimën elektorale dhe për të frikësuar mbështetësit e opozitës.
Ai e cilëson arrestimin si të pajustifikuar, të dhunshëm dhe poshtërues, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shfuqizojë vendimet e mëparshme dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të tij.
KERKESA PRESIDENTIT ILIR META GJYKATE KUSHTETUESE
(BalkanWeb)
