Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka nga protesta e opozitës, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë një tiran të çmendur.

Ai tha se edhe në këtë kohë, duke u ndalur te procesi ndaj Berishës, dënohesh si në regjimin e Enver Hoxhës.

“Ne që jemi mbledhur sot këtu, nuk jemi mbledhur për Sali Berishën, ne jemi mbledhur këtu për t’i thënë JO diktaturës. Poshtë diktatura! 33 vite më parë, ishim më pak se kaq, studentë. Përpara kishim rreshtat me policë dhe sampistë. Duhej guxim të dilje përballë atij regjimi dhe sigurisht jo të gjithë e kanë atë guxim. Edhe në atë kohë ishim pak që u përplasëm me regjimin, u përplasëm me mjetet dhe forcat e atij regjimi. Sot për fat të keq jemi prapë në diktaturë, sepse për fat të keq edhe pas 30 vitesh pluralizëm dhe demokraci, jo të gjithë shqiptarët e njohin vlerën e lirisë. Ndaj e përsëris se nuk jemi këtu për të mbrojtur Sali Berishën. Sali Berisha nuk është një individ, është simboli, personifikimi i demokracisë shqiptare, i qytetarisë, i guximit të shqiptarëve. Prandaj jemi këtu në krah të Sali Berishës.

Aty nuk po kërkojnë t’i heqin imunitetin Sali Berishës, por po kërkojnë të na heqin ne çdo të drejtë. Sot çdo qytetari po kërkojnë t’i heqin të drejtën e jetës. Nëse nuk e kuptoni se kjo që po ndodh nuk është kundër Sali Berishës, por është kundër të gjithë shqiptarëve, do jetë vonë nesër. As Enver Hoxha nuk e vendosi diktaturën në një ditë dhe as në një vit. Edhe ai e nisi duke eliminuar opozitën. A do lini që këtë të na e bëjë një tiran i çmendur si Edi Rama? Kjo po ndodh përditë me shqiptarët, po shkelen me këmbë, po poshtërohen. Enveri kishte Aranit Çelën, edhe ai dënonte, pushkatonte me ligj. Edi Rama po përdor SPAK-un si dikur Aranit Çelën për të vendosur diktaturën. E kujtova dhjetorin jo më kot. E thashë se ishim pak atë ditë. Ditët e tjera u bashkuan me ne qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë dhe e rrëzuam atë regjim. Prandaj edhe ne sot duhet ta shohim veten si pionierë, si misionarë të kësaj lëvizje që në fund pa diskutim do sjellë rrëzimin e këtij regjimi.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb