OHËR

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të thuash që Ballkani i Hapur është projekt i Rusisë është njësoj si të thuash se BE është Jugosllavia e re.

Në një konferencë me gazetarët, Rama u pyet për deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviç, për inate personale në Ballkan, teksa tha se është një histori shumë bajate ballkanike se sa histori gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

“Unë nuk flas asnjëherë për opozitat shqiptare të Shqipërisë kur nuk jam në Shqipëri. E dyta të thuash që Ballkani i Hapur është projekt i Rusisë është njësoj si të thuash se BE është Jugosllavia e re.

Dritani di më shumë se unë për punën e inateve personale në Ballkan, unë jam më pak i informuar për këtë. Di të them që Dritani ka të drejtë sepse është një djalë që di çfarë flet, që thotë atë që mendon, mendon atë që thotë dhe mendon drejtë. Është një histori shumë bajate ballkanike se sa histori gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Sigurisht që në të gjitha këto procese janë të ftuar dhe të tjerët. nëse liderët politikë apo qeveritë kanë një tjetër natyrë vendimmarrje, operatorët ekonomikë, sipërmarrja kanë një tjetër natyrë vendimmarrje. Në panairin e ushqimeve dhe verërave që do të jetë së pari në Beograd, pastaj në Tiranë, pastaj në Maqedoninë e Veriut e me radhë do të jenë të ftuar të gjithë ata që bëjnë verë në gjithë rajonin dhe plot të tjerë jashtë rajonit. Politikanët të rrinë nëpër barrikada, qytetarët dhe sipërmarrjet do vazhdojnë të ndërveprojnë dhe të integrohen me aktivitetin e tyre në një hapësirë të përbashkët”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se korridori i tetë është rivënë në rendin e ditës falë Ballkanit të Hapur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb