Apeli i GJKKO ka zbutur dënimin për Alqi Bllako në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Shkalla e dytë e gjyqësorit shpalli të pafajshëm ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit për një nga episodet e korrupsionit.
Bëhet fjalë për episodin që lidhej me përfitimin e rreth 7 milionë lekëve pagë nga Vladimir Bezhani, ndërsa Apeli la në fuqi akuzën tjetër për korrupsion, që lidhet me shumën prej 119 mijë eurosh, të cilat sipas dosjes janë përfituar nga pronarët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Si rezultat, Apeli i Posaçëm uli dënimin nga 4 vite burg në 3 vite burg. Me përfitimin e gjykimit të shkurtuar, Bllako do të vuajë përfundimisht 2 vite burg.
Sipas vendimit, Bllako ka vuajtur tashmë pjesën më të madhe të dënimit në burg, ndërsa pjesa e mbetur do të kryhet me masën e shërbimit të provës.
