Një incident i pazakontë është regjistruar në San Francisco, ku një windsurfer u përplas me një balenë të madhe gri teksa po lundronte mbi dallgë. Eric Kramer ishte duke bërë windsurf në zonën e Crissy Field kur ndodhi ngjarja e papritur. Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ai po lëvizte me shpejtësi mbi ujë kur balena doli papritur në sipërfaqe, duke shkaktuar përplasjen dhe duke e hedhur atë nga dërrasa në det.

Në një reagim publik, Kramer e përshkroi momentin si një përvojë të pazakontë, duke theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj jetës së egër. “Ishte vërtet një ditë ‘balenash’… Kini kujdes dhe respektoni jetën e egër. E kisha ulur ndjeshëm shpejtësinë pasi kisha parë balena në zonë, por në fund ajo u shfaq papritur para meje. Për fat të mirë të dy jemi mirë,” u shpreh ai. Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa përdorues kritikuan vendimin e tij për të vazhduar aktivitetin pavarësisht pranisë së balenave në zonë. Të tjerë, ndërkohë, theksuan rëndësinë e mbajtjes së një distance të sigurt nga gjitarët detarë për të shmangur incidente të ngjashme.

Fatmirësisht, si windsurferi ashtu edhe balena nuk pësuan dëmtime serioze, ndërsa rasti shërben si një kujtesë për respektimin e natyrës dhe rregullave të sigurisë në ujë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: