Kryeredaktori i ‘Gazetës Shqiptare’ Erli Murati, ka folur për News24 për incidentin që ndodhi ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e cilësuar si njollosje ndaj protestës.

Murati u shpreh se ky incident vjen si një akt i nxitur nga gjuha e dhunës dhe urrejtjes të përdorur nga politikanët dhe në lidhje me autorin, u shpreh pesimist se ngjarja do zbardhet e plotë.

“Është incident i rëndë që ndodh në një ditë që duhet të ishte festë për shkak të Samitit të BE. Ata vijnë për të dhënë një mesazh, por në të njëjtën kohë opozita premtoi protestë të qetë. Ky incident njollosi këtë protestë. Ne kemi përjetuar dhe situata më të tensionuara më parë, por jo që kreu i një partie të goditet më grusht në mes të qytetit.

Është një akt i rëndë. Gjuha dhe aktet e dhunës që kanë ndodhur këto kohë, i kanë injektuar një dhunë të përgjithshme popullit. Jam shprehur që situata e demokracisë të rëndohet. Situata nuk është normale, sidomos për ne qe duam të anëtarësohemi në BE. Pyetja është se çfarë mesazhi do japë Rama delegatëve kur kreu i opozitës qëllohet në mes të sheshit? Është një incident që lë një shije të hidhur në shoqëri. Jam pesimist se kjo ngjarje do zbardhet e plotë, pasi është dështuar të bëhet drejtësi dhe transparencë. Gjuha e dhunës që vjen nga shteti, e ka injektuar. Nuk pretendoj se kryeministri ka telefonuar këtë shtetas që të shkojë e qëllojë kreun e opozitës. Kam lexuar qëndrime publike të një deputeti të PS, qe e ka quajtur Sali Berishës si Salih”, u shpreh Murati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: