Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e News24, ka hedhur akuza të forta lidhur me deklaratat e qeverisë për ngritjen e një industrie ushtarake në vend. Sipas Balliut, pas kompanisë “Timak Defense” fshihet një skemë e pastër abuzimi me fondet publike, e cila cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe interesat e aleancës së NATO-s.

Balliu e cilësoi kompaninë “Timak Defense” si fiktive, duke zbërthyer hapat se si u ngrit ky biznes dhe sesi sipas tij u anashkaluan kriteret ligjore gjatë nënshkrimit të kontratës:

“Të kesh industri armësh kërkohet një buxhet shumë i madh dhe shpenzimet janë marramendëse, mjafton të shohim shembujt në rajon. Këtu flitet për kompaninë Timak Defense, që është fiktive. Është themeluar me 30 mijë euro buxhet, ku Ron Yefet bleu 40% të saj me vetëm 490 euro. Më pas bën një joint venture me SHA të kompanisë KAYO. 80% të kësaj kompanie e zotëron Ron Yefet me Arjeta Pucën,” u shpreh Balliu.

Deputeti opozitar nënvizoi se, ndonëse kriteri i vendosur kërkonte një buxhet prej 15 milionë eurosh, kontrata u firmos me kompani që kishin vetëm 30 mijë euro kapital, duke përfituar më pas 10.6 milionë euro brenda pak muajve.

Më tej, Balliu nxori në pah shifrat e punësimit të kësaj kompanie, duke ironizuar pretendimet për eksport armësh: 14 punonjës të deklaruar me pagë mesatare rreth 860 euro në muaj; 12 mijë euro shpenzime totale mujore për stafin.

“Rama ka gjetur të krijojë me 12 mijë euro shpenzim në muaj industri armësh në Shqipëri, madje thotë se edhe do të eksportojnë. Ajo është një industri vjedhjeje, jo armësh. Kjo skemë është firmosur nga Belinda Balluku. Këtu ka tre përfitues: Edi Rama, Belinda Balluku dhe Ron Yefet,” deklaroi deputeti i PD-së.

Në përmbyllje, Balliu bëri me dije se e ka denoncuar çështjen në Komisionin e Punëve të Brendshme ku ka thirrur ish-ministrin e Brendshëm, ndërsa njoftoi se do të thirret edhe Ardi Veliu i kompanisë KAYO. Ai u bëri thirrje publike organeve ligjzbatuese të veprojnë me urgjencë për të hetuar atë që e quajti një aferë me goditje mbi sigurinë kombëtare dhe gjeopolitike të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb