NGA OLA MITRE

TIRANE- Të gjithë mjekët, infermierët, mamitë, far macistët dhe stomatologët duhet të verifikojnë regjistrimin e tyre në regjistrin kombëtar të certifikimit. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka publikuar listat sipas profesioneve, në bazë të të cilave çdokush prej tyre ka detyrimin ligjor për t’i kontrolluar, në mënyrë që të mos ketë probleme përsa i përket raportimit dhe njohjes së krediteve. Sipas QKEV-së ky proces duhet të kryhet brenda datës 31 janar 2016, ndërkohë që profesionistët, të cilët nuk figurojnë të regjistruar ose kanë pasaktësi në të dhënat e tyre duhet të kontaktojnë patjetër me këtë institucion, në mënyrë që të bëjnë korrektimet përkatëse.

Në regjistrin kombëtar të certifikimit gjendet emri, mbiemri, atësia, rrethi, qyteti dhe institucioni ku ushtrohet profesioni, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” publikon sot pjesën e parë të listës për 18 mijë infermierët dhe mamitë. Këto dy nënprofesione të shëndetësisë janë bërë pjesë e edukimit në vazhdim dhe detyrimit për të mbledhur kredite nga data 1 janar e këtij viti, ndaj dhe pasaktësitë në regjistër mund të jenë më të mëdha. Ky cikël do të zgjasë 4 vjet dhe brenda tij mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite, stomatologët, farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite.

Në rast se këta profesionistë nuk arrijnë të grumbullojnë numrin e kërkuar, atëherë në fund të 4-vjeçarit do të përballen edhe me sanksionet e parashikuara në ligj. Sipas tyre, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen, nëse profesionisti i shëndetësisë nuk merr asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm. Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti t’i jetë nënshtruar provimit të certifikimit. Sipas të njëjtit ligj, nëse profesionisti i shëndetësisë mbledh kredite të edukimit të vazhdueshëm, por më pak se limiti i kërkuar, ai duhet t’i nënshtrohet provimit të certifikimit brenda gjashtë muajve nga data e njoftimit.

Ndërkohë që, nëse dështon në provim, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen dhe rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti të ketë kaluar me sukses provimin e certifikimit. Për mjekët, farmacistët dhe stomatologët cikli 4-vjeçar përfundon në 31 dhjetor 2018, ndërsa për infermierët e mamitë në 31 dhjetor 2019.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: