Nga Athina, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos theksoi se integrimi ka marrë një hov të ri dhe se Mali i Zi dhe Shqipëria duhet të përmbushin kriteret e ndërmjetme të sundimit të ligjit. Gjatë një takimi me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, Kos vlerësoi rolin e Greqisë për procesin gjatë presidencës së ardhshme të BE në vitin 2027.

Në kuadër të Samitit të Delfit në Athinë, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos u prit në një takim nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Gjatë takimit zyrtar, Kos e përshkroi Greqinë si një partnere thelbësore për suksesin e procesit, duke theksuar rëndësinë e Presidencës së ardhshme Greke të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027. Ajo theksoi se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë progres në këtë drejtim, duke shtuar se për herë të parë pas pothuajse 17 vitesh u krijua grupi i punës për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.

Kos: Ky është vetëm hapi i parë, por tregon angazhimin e shteteve anëtare dhe, natyrisht, të Malit të Zi, si dhe të Komisionit Evropian. Në Ballkanin Perëndimor po shohim shumë progres, veçanërisht në Malin e Zi dhe në Shqipëri. Tani po presim konfirmimin e përmbushjes së kritereve të ndërmjetme për sundimin e ligjit.  Të dyja vendet po japin rezultate në reforma. Disa thonë se po I japim më shumë shtysë Moldavisë dhe Ukrainës sesa pjesës tjetër të Ballkanit, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se në të kaluarën nuk i kemi kushtuar vëmendje të mjaftueshme, ose zgjerimi nuk ka qenë prioritet, ndërsa tani kjo po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Progresi duhet të bazohet në meritat e secilit vend dhe Mali i Zi dhe Shqipëria janë shembuj pozitivë. Presim drejtimin tuaj.

Takimi sipas mediave greke, konfirmoi rolin strategjik të Greqisë si një “urë” midis Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit, ndërsa kryeministri grek, theksoi se Athina zyrtare mbetet mbështetëse e fortë e zgjerimit. Kreu i qeverisë helene nënvizoi se megjithëse progresi ka qenë i ngadaltë, tani po shfaqet një “dinamikë e re”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb