Në një lidhje të drejtpërdrejtë për programin e drekës në “News24“, profesori Afrim Osmani ka bërë një analizë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pas zhvillimit të Konferencës së tetë Ndërqeveritare në Bruksel.

Ndonëse qeveria dhe kryeministri Edi Rama shpesh shprehen optimistë për anëtarësimin brenda vitit 2030 me argumentin se “janë bërë yjet bashkë”, Osmani theksoi se vendi ynë nuk ndodhet në rrugën e duhur sa i përket substancës dhe plotësimit të kritereve reale.

“Këshilla ime për kryeministrin është që duhen bërë detyrat e shtëpisë. Ajo që na bën ne të domosdoshëm janë punët konkrete. Ne mburremi sot me një përafrim procedurial, por në substancë nuk më duket se jemi në rrugëtimin e duhur. Kemi probleme të forta me të drejtat themelore dhe ndërhyrjet e sistemit ekzekutiv në gjyqësor, ku mjafton të përmendim rastin më të fundit të iah-zëvendëskryeministres Belinda Balluku,” deklaroi Osmani.

I pyetur për detyrat më të vështira të shtëpisë që Shqipëria ka përpara, profesori rreshtoi tri problematika tejet të rënda që lidhen drejtpërdrejt me standardet e shtetit të së drejtës dhe zgjedhjet në vend, të cilat sipas tij nuk kanë marrë ende zgjidhje:

-Patronazhimi dhe ndërhyrja abuzive në të dhënat personale të qytetarëve për qëllime partiake.

-Bashkërendimi i gjërave me grupet kriminale gjatë fushatave zgjedhore.

-Përfshirja e administratës publike në zgjedhje dhe mosndarja e pushtetit partiak nga ai ekzekutiv.

Sipas tij, mazhoranca ka pasur “luksin” t’i kalojë lehtë këto gabime të rënda pasi nuk ka pasur përballë një konkurrim në nivelin e duhur nga ana e opozitës.

Më tej, Osmani përdori një metaforë të fortë për të përshkruar ngërçin e thellë politik ku ndodhet sot Shqipëria:

“Ne kemi një problem shumë të fortë dhe shumë të rëndë. Kemi elefantin në mes të dhomës, si te opozita ashtu edhe te pozita, dhe anëtarët kryesorë nuk duan ta shikojnë. Sot kemi një personalizim total të pushtetit. Të gjithë ministrat e pozitës nuk kanë asnjë lloj aksesi në lidershipin e Edi Ramës. E njëjta gjë po ndodh edhe te opozita me Sali Berishën. Askush nuk ka guxim të dalë jashtë këtij personalizimi. Kjo e bën qasjen e tyre qesharake dhe tregon se nuk kemi një shtet të së drejtës, që është themeli i BE-së,” përfundoi Afrim Osmani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb