Viti 2023 është viti më i mirë i Shqipërisë sa i takon turizmit, me fluksin e jashtëzakonshëm të turistëve të huaj që e kanë vizituar vendin tonë, që në fund të këtij viti ndoshta arrin shifrën rekord të 10 milionë turistëve të huaj.

Disa vite më parë, një statistikë e tillë do të kishte qenë gati futuristike. Faktorët pse ky hov pozitiv kaq i konsiderueshëm ka ndodhur janë kryesisht të lidhura me stadin e ri ku ka hyrë zhvillimi i vendit, por edhe me reputacionin që tashmë Shqipëria ka fituar në arenën ndërkombëtare, falë ushtrimit të angazhimeve shumë të rëndësishme diplomatike në fushën e politikës së jashtme.

Padyshim që Shqipëria po e përshkon trajektoren e zhvillimit të saj jo aq me lehtësi, por me vendosmëri dhe drejtim të përcaktuar. Shtrati i përpjekjeve për jetësimin e proceseve të vështira reformuese në këtë 10 vjeçar ka patur edhe mangësi, por rezultati i këtij rrugëtimi mes suksesesh e pengesash, po jep frutet e veta të dallueshme.

Së pari, mjedisi tërësor ofron më shumë siguri publike falë profesionalizimit dhe vendosmërisë gjithmonë e në rritje të Policisë së Shtetit, siç gjithmonë e më shumë edhe reformimi i sistemit të drejtësisë po dëshmon shembuj ndëshkueshmërie, që ushqejnë shpresë për një drejtësi të barabartë për të gjithë.

Ka gjithashtu progres të pamohueshëm në drejtim të infrastrukturës së përmirësuar në rrjetet ndërlidhëse të të gjitha formave të transportit, ndërhyrje të vazhdueshme rehabilituese urbane në qytete e zona rurale, investime të tjera në sektorë strategjikë siç është energjia, shëndetësia dhe bujqësia, apo vëmendje rigoroze për zbatimin e Planit Kombëtar të Pastrimit.

Sot mund ta pranojmë me krenari se Shqipëria nuk është më e perceptuar si vendi i anashkaluar i Europës mbas daljes prej regjimit të errët komunist, as si vendi i traumave të një tranzicioni të vështirë që e ngadalësoi shumë rrugën e progresit.

Gjithmonë e më shumë vendi po fiton respekt ndërkombëtarisht, duke mbrojtur me shumë dinjitet në përfaqësimin e politikës së jashtme atë peshë specifike që ka Shqipëria në gjeopolitikën e rajonit e të botës. Prandaj gjithmonë e më shumë po nxitet kureshtja e më shumë qytetarëve europianë e më gjerë, për të na vizituar dhe për t’u njohur me vlerat e pasuritë autoktone të historisë, kulturës e traditës sonë. Jo aq i rastësishëm është edhe suksesi i arritur i skuadrës sonë kombëtare të futbollit, që na ka karikuar si komb me doza aq pozitive patriotike.

Të gjithë jemi ndjerë krenarë që për herë të parë një Samit si ai i Procesit të Berlinit me liderë nga e gjithë Europa, u zhvillua jashtë kufijve të Bashkimit Europian, pikërisht në Tiranë, në kryeqytetin e kombit shqiptar. Jo vetëm kaq, por në harkun kohor të më pak se një viti për herë të dytë liderë të Europës zgjodhën të takohen në Shqipëri, sepse fatmirësisht po konsiderohemi sot qendër e Europës në Ballkan.

Për ne shqiptarët ky moment nuk mbart thjesht e vetëm simbolikë politike në kontekstin e organizimit të një samiti politik të radhës që ka si synim të forcojë ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me ato të Bashkimit Europian, por edhe një rëndësi për momentin historik. Vendosur në kontekstin e ngjarjeve, si lufta prej 18 muajsh nga agresioni rus në Ukrainë, patjetër konflikti i armatosur dhe shumë i rrezikshëm në Veriun e Kosovës, apo plaga e madhe që u rihap në Izrael dhe Ripin e Gazës. Ndaj, këto takime marrin një peshë e domethënie edhe më të madhe.

Mendoj se kjo është koha më e favorshme që ne shqiptarët të udhëhiqemi vetëm nga vizioni i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me pjekuri diplomatike dhe me mbështetjen e partnerëve aleatë euroatlantikë. Por më së shumti është koha të frymëzohemi për të punuar me një vizion afatgjatë dhe pasion atdhetar, që krijon sinergji në funksion të ecjes vetëm përpara, me përpjekje të mëtejshme e të pandalura në këtë rrugë pakthim të europianizimit tonë si shoqëri dhe të konsolidimit të institucioneve të shtetit, duke u përafruar më shpejt me standardet e bashkësisë europiane. Kjo fuqi vetëreformuese do të na vendosë me siguri në një pozitë strategjikisht akoma të sigurtë në sferën e gjeopolitikës rajonale dhe europiane.

Historike do të mbetet për Shqipërinë edhe vizita zyrtare e Presidentit te Francës, Emmanuel Macron. Shumëdimensionale në përmbajtjen e saj ajo përcolli plot elegancë e forcë mesazhe të qarta politike për të ardhmen e rajonit, në raport me Europën, për bashkëpunimin dypalësh dhe rritjen e vëmendjes së Francës për Shqiperinë, ku natyrshëm Korça ka e do të ketë vendin e vet më të posaçëm.

Angazhimi i Presidentit Macron, deri edhe autokritik per vizitat e munguara te presidentëve francezë në Shqipëri, vlerësimi i historisë dhe kulturës sonë kombëtare ishin mesazhe të drejtpërdrejta se integrimi, falë lirisë, i ka kapërcyer ritmet burokratike të proceseve të vështira integruese. Shembulli më kuptimplotë i kësaj, ishte edhe dorëzimi i Dekoratës së “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit” për shkrimtarin tonë të shquar, Ismail Kadare.

Ishte një vizitë për të cilën do të vazhdojë të flitet, në këndveshtrimet e reja politike që u shfaqën për interesin tonë kombëtar, siç edhe për sfidat gjeopolitike të rajonit, optimizmin që duhet të na mbajë të motivuar, për zhvillim e bashkëpunim ekonomik, si edhe kulturën veçanërisht të spikatur që e shoqëroi atë.

Macron foli për nevojën e ribashkimit të Evropës dhe uroj që në këtë ribashkim të përfshihet sa më shpejt edhe Shqipëria e Kosova!

Integrim në përmbajtje, integrim edhe në formë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb