Në fjalën e saj në konferencën ndërparlamentare të zhvilluar në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë, nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Albana Vokshi, denoncoi atë që opozita e konsideron si një hendek gjithnjë e më të madh mes angazhimeve europiane të Shqipërisë dhe realitetit të qeverisjes.
Ajo ngriti shqetësime për zgjedhjet, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, prokurimet publike, korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, duke argumentuar se procesi i integrimit nuk mund të reduktohet në hapjen apo mbylljen formale të kapitujve.
Sipas Vokshit, Bashkimi Europian duhet të kërkojë standarde konkrete dhe të matshme, ndërsa kushtëzimi europian duhet të shërbejë si mekanizëm për rikthimin e demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe shtetit të së drejtës në qendër të procesit të anëtarësimit.
Fjala e plotë:
Të dashur kolegë dhe miq të Shqipërisë,
Faleminderit që sot keni ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme, por besoj edhe për të treguar mbështetjen tuaj dhe të vendeve e parlamenteve që ju përfaqësoni për Shqipërinë dhe shqiptarët. Integrimi europian nuk është thjesht një objektiv politik, është një aspiratë kombëtare, që kalon ndër breza. Për shqiptarët, Europa nuk nënkupton thjesht një jetë më të mirë; nënkupton demokraci, liri dhe siguri. Nënkupton të jemi pjesë e familjes së kombeve ku sundon ligji dhe dinjiteti njerëzor.
1. Ka një të vërtetë të thjeshtë: Shqipëria është dhe mbetet vendi më proeuropian në rajon.
Sipas një sondazhi të Komisionit Europian, 93% e shqiptarëve e mbështesin integrimin në Bashkimin Europian. Krahasuar me mesataren rajonale prej 64%. Vetëm 2% e shqiptarëve e konsiderojnë anëtarësimin në BE si diçka negative. Ndaj, procesi i integrimit në Shqipëri nuk është e nuk duhet të paraqitet si projekt i një qeverie apo një partie, e as nuk duhet monopolizuar e trajtuar si i tillë. E ardhmja europiane e Shqipërisë është më e madhe dhe më e rëndësishme se çdo parti politike, është përtej nesh, përtej ngjyrave politike.
1. Partia Demokratike e ka lidhur të gjithë historinë e saj me vizionin europian.
Në vitet ’90, kam qenë pjesë e protestave të studentëve që sollën rrëzimin e diktaturës më të egër. Atëherë slogani ishte ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Ende sot ky është slogani, pas më shumë se 35 vitesh. Pra, ne si klasë politike kemi dështuar të plotësojmë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve dhe aktivitete si ky shërbejnë për të reflektuar çfarë nuk është bërë si duhet e si mundet ta bëjmë më mirë, e për këtë na duhen mësimet, eksperienca dhe mbështetja juaj.
Unë jam pjesë e Partisë Demokratike, tashmë në opozitë, por jam krenare për atë që PD ka bërë gjatë qeverisjeve të saj për këtë proces: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, liberalizimi i vizave dhe paraqitja e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian etj. Nuk kemi bllokuar kurrë asnjë reformë, ligj apo nismë që lidhet me integrimin europian, siç partia në pushtet ka bërë para se të vinte në pushtet. Kemi ende shumë për të bërë.
Disa muaj më parë, votuam një rezolutë për procesin e integrimit europian, e para pas rreth një dekade, edhe pse e dinim se maxhoranca do ta keqpërdorte politikisht , sikurse edhe ndodhi. Shumë na akuzuan se kishim bërë deal kur bashkuam votat me socialistët – për hir të integrimit. Megjithatë, vendosëm të dëshmonim edhe një herë vullnetin tonë për këtë proces e të kontribuonim realisht në miratimin e një rezolute që, në fakt, duhet të mbante qeverinë dhe institucionet accountable për këtë proces.
1. Zgjerimi është shndërruar në një domosdoshmëri strategjike për vetë Bashkimin Europian.
Ne besojmë se integrimi europian mbetet garancia më e mirë për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor. Ne mbështesim integrimin e plotë në BE dhe besojmë që çdo alternativë tjetër, integrim i pjesshëm, pa të drejta të plota, apo çdo rrugë e shkurtër që mundëson përfitime nga tregu i përbashkët, lëvizja e lirë apo politikat e tjera europiane pa përmbushur kriteret e Kopenhagës, krijon hapësirë për varësi, paqëndrueshmëri, ndikime të jashtme dhe tensione të panevojshme.
Të dashur miq,
Anëtarësimi është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë. Doja të kujtojmë së bashku edhe një mësim të rëndësishëm nga historia e zgjerimit europian. Bashkimi Europian ka pranuar vende që përballeshin me vështirësi ekonomike. Ka pranuar vende që kishin probleme me kapacitetet administrative apo me qeverisjen. Por nuk ka pranuar kurrë një vend pa një sistem demokratik funksional, apo një vend ku zgjedhjet janë shndërruar thjesht në fasadën e një autokracie elektorale.
Pyetja që lind sot është: a duhet të bëjmë kompromis me standardet demokratike?
Zgjerimi është instrumenti më i fuqishëm reformues i Europës, por vetëm kur kushtëzimi zbatohet me rigorozitet. Për këtë arsye, grupkapitulli ‘Themeloret’ hapet i pari dhe mbyllet i fundit: pa zgjedhje të lira, prokurime të ndershme, gjyqësor të pavarur dhe institucione që i nënshtrohen ligjit, përparimi në kapitujt e tjerë mbetet vetëm në letër.
Shqipëria u konsiderua se kishte përmbushur standardet e ndërmjetme të shtetit të së drejtës, ndërkohë që Zëvendëskryeministrja ishte pezulluar nga Gjykata e Posaçme për kontrata mbi 200 mld euro dhe maxhoranca refuzoi heqjen e imunitetit të saj.
1. Në fushën e zgjedhjeve, V-Dem e klasifikon Shqipërinë si ‘autokraci elektorale’: zgjedhjet dhe opozita ekzistojnë formalisht, por integriteti zgjedhor, liritë politike dhe barazia e garës janë cenuar aq rëndë sa qytetarët nuk mund t’i kërkojnë realisht llogari pushtetit përmes votës. Këtë e konfirmoi edhe ODIHR-i, duke evidentuar mungesën e kushteve të barabarta, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj administratës, blerjen e votës, ndërhyrjen e krimit të organizuar dhe shkrirjen e kufirit ndërmjet partisë dhe shtetit. Kur këto realitete shpërfillen, zgjerimi pushon së nxitur reformat dhe fillon të mbrojë pushtetin.
Gjithçka fillon me zgjedhjet. Mënyra se si do të qeveriset një vend përcaktohet nga mënyra se si organizohen zgjedhjet. Prej tyre varen demokracia, pluralizmi politik, përfaqësimi dhe llogaridhënia.
Të nderuar miq,
Shqipëria mund të ketë bërë progres në letër, por në të vërtetë Shqipëria është një shtet i kapur. Teknikisht mund të mbyllet kapitulli i sigurisë – praktikisht krimi i organizuar tek ne ka në dorë edhe shërbimin sekret. Dhe jo sepse dashurohen dy njerëz. E ka sepse kështu ka dashur kryeministri.
E kemi paralajmëruar që në 2023, edhe KR e PD, edhe G. Bardhi, edhe F. Mediu, edhe Flamur Noka, edhe Klevis Balliu. Ja kemi thënë Ramës në parlament këtë, disa herë që nga dita e emërimit. I kemi kërkuar të bëjë vetting të posaçëm e të bëjë transparencë për parlamentin. Heshtje. Kjo s’është çështje shqiptarësh, është çështje e aleatëve të NATO-s, çështje e sigurisë europiane.
Edhe kapitulli për prokurimet apo ekonominë konkurruese mund të mbyllet teknikisht, por nga dosjet hetimore kemi parë sesi zv. kryeministrja paracaktonte tenderat. Tek njëri kishte porosi nga kryeministri t’ia jepte X kompanie, tek tjetri, anulluan bashkë me KM tenderin për t’ia dhënë kompanisë që së bashku e takuan në Turqi – bëhet fjalë për Tunelin e Llogarasë, dmth. 50 milionë euro korrupsion vetëm me një tunel. Ndërkohë që akuzat zyrtare nga SPAK janë për abuzim nga ish-zv.kryeministrja për tendera që shkojnë rreth 1.2 miliardë euro.
Po ashtu, shqetësues është fakti që maxhoranca po krijon ato që do t’i quaja shtresa të mbrojtjes së korrupsionit: ose me votë në Kuvend, si në rastin e ish-zv. KM Balluku, ndaj të cilës SPAK kishte ngritur akuza për abuzime në tendera rreth 1.2 bln euro dhe kërkonte heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, por maxhoranca refuzoi me 82 vota kundër. Ose me propozimet e bëra nga vetë kryeministri Rama, kreu i GR të PS apo kryetari i Komisionit të Ligjeve për nenin 242 të KPP, për krijimin e superimunitetit ndaj kryeministrit, ministrave e disa funksionarëve të tjerë.
Një tjetër rast, i famshmi AKSHI – agjencia që administron platformën e-Albania dhe serverët shtetërorë, ku ruhen të dhënat e çdo qytetari. Akuzat zyrtare ndaj drejtoreshës dhe zëvendësdrejtorit të saj përfshijnë pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë, ata paracaktonin fituesit e tenderëve dhe devijonin dhjetëra milionë euro drejt dy biznesmenëve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Akuzat përfshijnë gjithashtu zhvatjen dhe marrjen peng. Vetëm 19 tenderë kishin një vlerë prej rreth 59 milionë eurosh. Agasi iu shmang arrestimit për tetë muaj. Kur u kap në gusht, ai po udhëtonte me një ish-drejtues të lartë vendor të policisë. Beqiraj u arrestua në Francë, ku kishte blerë një kështjellë dhe kishte fluturuar me një avion të lehtë mbi një central bërthamor.
Më pas, më 22 shtator, drejtuesja e shërbimit tonë të inteligjencës, një institucion që shkëmben informacione me aleatët e NATO-s, u vendos në arrest shtëpie. Ajo dyshohet se ka nxjerrë informacione sekrete dhe ka ndihmuar Agasin. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u mor në pyetje si person që mund të konfirmonte elemente të hetimit. Ky është kërcënimi që vjen nga Ballkani për sigurinë europiane: jo vetëm aktorët e huaj, por edhe krimi i organizuar që vepron nga brenda vetë shtetit.
Pastrimi i parave – edhe ky kapitull mund të mbyllet me sukses të madh, sepse ne kemi hartuar ligje në përputhje me direktivat. Madje edhe mund të duartrokiten në progress-raport.
Por realiteti është ndryshe.
Një çështje që, në fakt, shumë diplomatë nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë të flitet, edhe pse ne e konsiderojmë si një problem madhor për Shqipërinë, me pasoja shkatërrimtare mbi demokracinë, ligjin, shoqërinë dhe ekonominë e vendit, por është edhe problem europian e ndërkombëtar. Nga hetimet kemi parë sesi trafikantët e kokainës spastrojnë para në resortet që Edi Rama i ndërton vetë. Pra, ne të gjithë e dimë nga vijnë një pjesë e parave, vetëm Rama nuk e di dhe të gjithë i hanë kumbullat pas shpine.
Shqipëria është sot eksportuesja kryesore e kanabisit në Europë. Kartelet shqiptare janë ndër transportuesit kryesorë të kokainës dhe ndër aktorët kyç të tregut të saj europian. Ato kontrollojnë gjithashtu portet e vendit, të cilat janë shndërruar në pika të hapura tranziti për drogën. Lidhjet e tyre shtrihen te policia, prokuroria dhe gjykatat, duke arritur deri te kreu i qeverisë.
Dy raste janë veçanërisht domethënëse. Në janar 2019, zyrtarë dhe biznesmenë u dërguan në Aruba për t’u takuar me bosë të drogës. Kryeministri priti gjithashtu Luftar Hysën në zyrën e tij, ndërsa më pas Hysës iu dhanë në mënyrë të paligjshme licenca për kazino dhe hotele me pesë yje. Në nëntor 2025, Departamenti Amerikan i Thesarit sanksionoi Hysën dhe rrjetin e tij familjar për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i drogës, me miratimin e kartelit Sinaloa.
Dëmi është i dukshëm në ekonomi. Euro dhe dollari janë zhvlerësuar përkatësisht me 32% dhe 35% ndaj lekut, më shumë se kudo tjetër në botë, duke goditur rëndë eksportet. Sipas Eurostat-it, prodhimi industrial ka rënë me 15,3%. Ndërkohë, ndërtimi, kanali kryesor për pastrimin e parave të drogës, zhvillohet me një ritëm tri herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Pasojat janë po aq të dukshme në shoqëri. Sipas Eurostat-it, vetëm gjatë dekadës së fundit, mbi 1,09 milion shqiptarë kanë emigruar drejt zonës Schengen. Duke përfshirë edhe destinacionet e tjera, është larguar pothuajse gjysma e popullsisë. Numri i lindjeve ka rënë në nivele që nuk ishin regjistruar prej një shekulli.
Mohimi i këtij realiteti, me dashje ose jo, vetëm sa e mban atë në këmbë. Narkoshteti nuk mund të çmontohet as nga një grusht prokurorësh. Ai kërkon qëndrime të qarta politike dhe masa konkrete kundër regjimit.
Kush është pasoja më e rëndë në Shqipëri e narkoshtetit? Shoku demografik: sipas Eurostat-it, në 10 vitet e fundit emigruan vetëm në zonën Schengen 1,099,000 qytetarë. Nëse shtohen edhe ata që kanë emigruar në zona të tjera, del se 47% e shqiptarëve janë larguar nga vendi. Regjistri i Gjendjes Civile tregon se lindjet sot kanë rënë në nivelin e 100 viteve më parë, kur Shqipëria kishte nën 1 milion banorë.
Prej 118 ditësh, qytetarët protestojnë përpara godinës së qeverisë. Një resort i planifikuar në një zonë të mbrojtur ishte shkëndija, por nuk është shkaku i vërtetë i protestës.
Kërkesat e tyre janë të qarta: dorëheqja e Kryeministrit, krijimi i një qeverie kujdestare, zgjedhje të lira dhe të barabarta, si dhe përafrimi real i legjislacionit me acquis-në e Bashkimit Europian.
Ata po kërkojnë pikërisht Themelet.
Përgjigjja deri tani ka qenë: kordone policore, autobotë me ujë dhe 151 referime penale.
Kosto e kapjes së shtetit dhe kosto e korrupsionit janë kosto për qytetarët.
Dhe në rastin tonë, kosto për qytetarët shqiptarë dhe kosto për qytetarët europianë. Ka një mënyrë që ne t’u qëndrojmë besnikë qytetarëve tanë në Tiranë, Berlin, Paris, Romë, Bruksel: të mos mbështesim më një kryeministër që bashkëqeveris me krimin e organizuar dhe ka kthyer korrupsionin në sistem funksionimi të shtetit.
Stabiliteti me një qeveri të tillë mund të jetë një kompromis komod, por shqiptarët dhe europianët nuk i ndihmon Europa e kompromiseve, por Europa e vlerave, e lirisë dhe demokracisë, e zgjedhjeve të lira nga krimi dhe korrupsioni, Europa e konkurrencës së lirë dhe të ndershme.
Prandaj, konkretisht kërkojmë:
1. Standardet përfundimtare duhet të jenë të detyrueshme dhe të zbatueshme. Kompetenca e SPAK-ut për të kërkuar pezullimin e zyrtarëve duhet të mbetet e paprekur. Rastet e AKSHI-t dhe SHISH-it duhet të vlerësohen përpara mbylljes së çdo kapitulli tjetër.
2. Duhet të kërkohet një vlerësim i pavarur i dëmit të mundshëm në shërbimin inteligjent, rezultatet e të cilit duhet të ndahen me aleatët.
3. Zgjedhjet e lira dhe të barabarta duhet të trajtohen si një standard themelor, jo si një shënim anësor i procesit.
4. Rekomandimet e ODIHR-it duhet të shndërrohen në standarde detyruese të procesit të integrimit.
5. Duhet të kërkohet një auditim i pavarur, në bashkëpunim me MONEYVAL-in, i flukseve financiare që hyjnë në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit.
Nëse shpërblejmë numrin e kapitujve dhe jo përmbajtjen e reformave, zgjerimi nuk do të eksportojë stabilitet.
Europa u ndërtua mbi lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit dhe kufizimin e pushtetit. Nëse këto vlera relativizohen në emër të ‘stabilitetit’, atëherë Europa nuk do të jetë as më e fortë, as më e sigurt. Sepse forca e saj nuk ka ardhur kurrë nga tolerimi i autokracisë, por nga mbrojtja e lirive që e dalluan nga regjimet autoritare të shekullit të kaluar.
