Autoritetet në rajonin Belgorod në perëndim të Rusisë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme rajonale, pasi forcat ukrainase janë duke çarë përpara në inkursionin e tyre në rajonin fqinj, Kursk. “Gjendja në rajonin tonë Belgorod mbetet tejet e vështirë dhe e tensionuar”, shkroi në telegram guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës po kryejnë granatime ditore. Shtëpi janë dëmtuar dhe civilë janë vrarë dhe plagosur”, shtoi ai. Më herët, Belgorodi njoftoi evakuimin e mijëra civilëve nga qarqet në kufi me Ukrainën dhe me rajonin e Kurskit. Moska e ka deklaruar një “operacion antiterrorist” në rajonet Kursk, Belgorod dhe Briansk. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se 37 dronë ukrainas janë “shkatërruar” mbi rajonin e Voronezhit, disa qindra kilometra në jugperëndim të Moskës.
Guvernatori rajonal i Voronezhit, Aleksandr Gusev, tha se nuk u raportua për viktima, por disa ndërtesa banimi janë dëmtuar. Ministria tha se në përgjithësi 117 dronë dhe “katër raketa taktike” janë lëshuar kundër Rusisë gjatë natës, përfshirë 37 që raportohet se u “shkatërruan” mbi rajonin e Kurskit. Nuk është e mundur të verifikohen pretendimet nga fushëbetejat. Forcat ukrainase e filluan një inkursion befasues në rajonin e Kurskit më 6 gusht dhe i kanë kapur rreth 1.000 kilometra katror territor dhe qendra të shumta banimi.
Kryekomandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha të martën vonë se forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë. Gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi të martën, duke cituar zyrtarë amerikanë, se Rusia i ka dërguar disa prej forcave të veta nga Ukraina në rajonin e vet Kursk, për ta mbrojtur nga inkursioni ukrainas. Zyrtarët thanë se nuk është e qartë se sa trupa janë dërguar nga Ukraina në Kursk, apo se çfarë ndikimi mund të ketë kjo në luftimet në Ukrainë./rel