Të tjera skandale dalin në dritë në lidhje Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku për punonjësit e këtij institucioni harxhohen shuma të mëdha parash për sigurimin e jetës. Emisioni ‘Në Shënjestër’ në ‘News24’ zbulon të tjera fakte tronditëse, ku polica e sigurimit për punonjësit shkon deri në 200 mijë dollarë.

Në tenderin me fond limit prej rreth 58 mije dollarësh për blerjen policave të sigurimit për dy vite I mbyllur ne dhjetor të 2021, ka dalë fituese kompania e vetme pjesëmarrëse SIGMA INTERALBANIAN VIENNA INSURANCE GROUP sh.a, e cila ka ofruar një çmim për njësi prej 688,600 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind) lekësh, ose rreth 6800 dollarë.

Në dokumentin e termave të referencës specifikohen se janë 4 paketa, e para nga një mbulim prej rreth 680 mijë dollarësh, me shërbime shëndetësore te mbuluara deri në të gjithë botën përveç, SHBA, Kanadasë dhe Zvicrës. Paketa e dytë mbulon shpenzime për kurim deri ne rreth 200 mijë dollarë në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëri dhe Turqi, ndërsa dy paketat e tjera mbulojnë shërbime deri ne 68 mijë dollarë në Shqipëri, Turqi dhe Europë, përjashtuar Zvicrën. Paketat përfshijnë mbulimin 100% të shtrimeve në spitale, kurime brenda dhe jashtë vendit, ndërhyrjet kirugjikale, terapinë intensive, pagesat për biletat e avionit dhe transportin për në spital me ambulancë dhe helikopter, si riatdhesimin nga jashtë. Po ashtu polica e sigurimit mbulon edhe kimioterapitë, protezat u mundshme, ekzaminimet me skaner, rezonance, fizioterapinë madje dhe kujdesin për shtatzëninë dhe lindjen. Dy paketat më të shtrenjta kanë në listë edhe transplantet dhe kujdesin psikiatrik.

Dhe në kohë pandemie nuk mund të mungojë as mbulimi i shpenzimeve për covid. Ndërsa qytetarët shqiptare paguajnë medikamente dhe shpenzime deri në mijëra euro, zyrtarët e fondit i kanë kurat falas për një pjesë te mirë të shërbimeve të lidhura me Covid-19.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb