IRAK-Militantët e ISIS kanë liruar më shumë se 200 anëtarë të komunitetit fetar Yazidi, të cilët ishin marrë peng në veri të Irakut, njoftojnë përfaqësuesit kurdë.

Në mesin e personave të liruar ka persona të moshuar si dhe 40 fëmijë. Disa prej të liruarve thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se ata ishin mbajtur në një vend të fshehtë nga militantët, ndërsa ishin zhvendosur nga një qytet në tjetrin.

Një gazetar i Reuters në vendngjarje tha se shumica e të liruarve ishin të dobët dhe të lodhur, dhe nuk kanë pranuar të flasin. Vitin e kaluar ISIS sulmoi komunitetin Yazidi në Irak duke vrarë dhe rrëmbyer mijëra persona.

Ndërkohë, trupat irakiane njoftojnë se ata janë duke fituar terren ndaj ISIS në krahinën perëndimore të Anbar, ndërsa sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, raportohet se ka vrarë disa militantë të ISIS që udhëtonin me anije në një lumë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: