JORDANI – Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka goditur bazën ushtarake Azraq në Jordani me 10 raketa balistike, në një veprim që e cilësoi si pjesë të hakmarrjes ndaj asaj që e konsideron “agresion amerikan”.

Sipas deklaratës zyrtare të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë ushtarake, ndërsa Teherani paralajmëroi se bazat amerikane në të gjithë rajonin do të mbeten objektiv nëse do të ketë sulme të tjera nga Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, autoritetet jordaneze njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore reaguan menjëherë ndaj sulmit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Jordanisë, forcat e armatosura arritën të interceptojnë dhe të rrëzojnë tetë raketa të lëshuara nga territori iranian.

Autoritetet në Amman deklaruan se nga rrëzimi i raketave dhe mbeturinave të tyre nuk janë regjistruar viktima, të plagosur apo dëme materiale në infrastrukturë.

Përshkallëzimi i situatës vjen në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë arritur në një nivel kritik. Sulmet dhe kundërsulmet e ditëve të fundit kanë shtuar frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa analistët paralajmërojnë se shënjestrimi i objekteve që lidhen me praninë ushtarake amerikane në Jordani mund të rrisë rrezikun e përfshirjes së vendeve të tjera të rajonit në konflikt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: