Ish-oficeri i CIA-s, David Rush, 49 vjeç, ka pranuar fajësinë për përfshirje në një skemë mashtrimi me vlerë rreth 200 milionë dollarë ndaj qeverisë amerikane.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Rush përdori kontrata të falsifikuara dhe fonde publike për të blerë prona luksoze në Florida dhe pasuri të tjera.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet gjetën 298 shufra ari, rreth 2 milionë dollarë cash dhe 35 orë luksoze.
Por çështja ka edhe një dimension të rëndë të sigurisë kombëtare. Rush pranoi se i kishte zbuluar një zyrtari të një qeverie të huaj informacione sekrete për një burim njerëzor të CIA-s, çka, sipas prokurorëve, mund të kishte shkaktuar “dëm të rëndë” për sigurinë e SHBA-së.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se Rush kishte “abuzuar me pozitën e tij dhe kishte tradhtuar besimin e publikut”.
Si pjesë e marrëveshjes së fajësisë, Rush do të përballet me humbjen e pasurive të lidhura me veprën penale dhe detyrime financiare ndaj qeverisë amerikane.
