NGA:KLODIANA LALA*TIRANE- Lulzim Lelçaj, ishanëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rinis betejën në Gjykatën Administrative. Gjykatësi Avni Seitaj vendoi të shfuqizojë vendimin për pezullimin e procesit mes Lelçaj dhe Kuvendit dhe nisi administrimin e provave dhe fakteve nga palët, për të krijuar bindjen nëse është ose jo i bazuar në ligj shkarkimi i tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Procesi kishte mbetur në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me nenin 4 të ligjit për “organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nen që i jepte të drejtë Kuvendit për shkarkimin e një anëtari të KLD-së. Gjykata e konsideroi antikushtetues këtë nen, mbi bazën e të cilit u shkarkua Lelçaj dhe ishnënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa. Ndaj ky vendim do të jetë një tjetër argument i fortë që ish-anëtari i KLDsë do të përdorë në Gjykatën Administrative, në këtë betejë ligjore që Lulzim Lelçaj, thekson se nuk do ta ndalë, derisa të vihet në vend e drejta. Ai kërkon rikthimin e tij në detyrë, pasi këmbëngul se vendimi i shkarkimit është antikushtetues dhe e konsideron një precedent të rrezikshëm për funksionimin e “qeverisë” së gjyqësorit.

Gjatë një komunikimi për “GSH” Lelçaj tha se rasti i shkarkimit të tij, është i tillë, që duhet të pasohej me dorëheqje dhe se juristët, mes tyre dhe ish-kolegë të tij nuk duhet të heshtin për këtë rast të paprecedentë.

Z.Lelçaj, mund të na thoni se çfarë ndodhi në këtë seancë gjyqësore?
Gjykata Administrative vendosi ta rihapë procesin gjyqësor, të cilin e kishte pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli antikushtetues pikërisht nenin mbi bazën e të cilit u ngrit Komisioni Hetimor, që hetoi veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së dhe anëtarit të saj, në këtë rast mua. Unë kërkova në gjykatë që të saktësojmë objektin duke kërkuar administrimin e aktit të krijimit të Komisionit Hetimor. Kjo, pasi vendimi i Parlamentit për krijimin e Komisionit Hetimor, në mungesë të asaj baze ligjore, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është nul, është antikushtetues dhe për këtë arsye, duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit si i pavlefshëm.

Në thelb mund të na shpjegoni përse e kërkuat administrimin e këtij vendimi?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë që të iniciojë me urgjencë, për rikthimin e situatës në legjitimitet. Vendimi i Kushtetueses e zhbën të gjithë procedurën dhe e kthen në paligjshmëri. Sigurisht unë shoh një tendencë të Kuvendit për ta zvarritur procesin, por sigurisht që unë do të këmbëngul tek e drejta. Po ju kujtoj që vite më parë, kur Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues vendimin e Kuvendit për shkarkimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi, kryetari i Kuvendit asokohe dha dorëheqjen. Por pavarësisht çfarë po ndodh, në KLD nuk ka asnjë reagim. Kjo është shumë shqetësuese.

Do të këmbëngulni për rikthimin tuaj në detyrën e anëtarit të KLD-së?
Do të vijoj betejën time me gjykatën, me qëllim që të fitojë drejtësia dhe ligji. Procedura e paligjshme për shkarkimin tim, ka cënuar rëndë legjitimitetin e një organi kushtetues, që është qeveria e gjyqësorit. Sigurisht, që kjo nuk është çështje vetëm e Lulzim Lelçaj, por më shqetëson fakti se po krijohet një precedent i rrezikshëm dhe vë në pikëpyetje pavarësinë e institucionit kushtetues siç është KLD-ja. Madje më shqetëson dhe fakti, se juristë madje dhe ish-kolegë të mi, nuk reagojnë ndaj këtij precedenti, nuk flasin përballë kësaj situate, ku cenohen parime kushtetuese.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: