Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku ka dhënë shpjegime në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t, dosje në të cilën ndodhet në paraburgim Ergys Agasi, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda këtij institucioni.
Bala, i cili më herët ka drejtuar Forcën e Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ka qëndruar rreth 40 minuta në ambientet e SPAK. Burime bëjnë me dije se dëshmia e tij lidhet me periudhën kur ai ka qenë në krye të Policisë së Durrësit.
Në përfundim të marrjes në pyetje, Vilson Bala nuk ka dhënë komente për gazetarët lidhur me çështjen për të cilën ishte thirrur në SPAK, ndërsa në dalje iu drejtua gazetarëve me një batutë.
Hetimet për dosjen e AKSHI-t kanë çuar më herët në pranga Ergys Agasin, i cili u arrestua në Durrës pas rreth tetë muajsh në arrati. Në kuadër të të njëjtit hetim, në Francë u arrestua edhe Ermal Beqiri, i cili u kap teksa pilotonte një avion civil mbi një central bërthamor.
Ndërkohë, ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, është dërguar në arrest shtëpie. Ajo dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Në kuadër të hetimit janë arrestuar gjithashtu një biznesmen, i cili dyshohet se ka ndihmuar Agasin gjatë kohës që ishte në arrati, si dhe shefi i një sektori në laboratorin kriminalistik në Policinë e Shtetit, i dyshuar për nxjerrje sekreti. Tre të dyshuarit kanë ankimuar masat e sigurisë të caktuara ndaj tyre dhe pritet që çështja të shqyrtohet në Apelin e Posaçëm.
