Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është shprehur “thellësisht i indinjuar” ndaj ish-kancelarit Gerhard Schroeder, për shkak të vizitës së këtij të fundit në rezidencën e presidentit rus Vladimir Putin për të festuar ditëlindjen e tij, konfirmoi një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Schroeder, i cili qeverisi Gjermaninë nga viti 1998 deri më 2005, është ballafaquar vazhdimisht me kritika të ashpra vendase dhe ndërkombëtare për lidhjet e tij të ngushta me Moskën dhe Putinin, marrëdhënie që kanë vazhduar edhe pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe sanksioneve perëndimore.

“Putini është i vetmi përgjegjës për luftën në Ukrainë. Urdhrat e tij janë shkaku i vuajtjeve të pallogaritshme, viktimave civile, familjeve të ndara, të vrarëve dhe të plagosurve”, theksoi zëdhënësi i qeverisë, duke shtuar se kancelari Merz e sheh pjesëmarrjen e Schroederit në këtë festë si “krejtësisht të pamoralshme”.

Putin festoi ditëlindjen e tij të enjten. As Schroeder dhe as bashkëshortja e tij, So-Yeon Schroeder-Kim, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë Reuters për koment.

Veprimi ka shkaktuar zemërim edhe brenda Partisë Socialdemokrate (SPD), të cilës i përket Schroeder. Bashkëkryetari i partisë dhe ministri i Financave, Lars Klingbeil, e cilësoi vizitën “plotësisht të papranueshme”, duke marrë parasysh dhimbjen e madhe që lufta i ka shkaktuar popullit ukrainas.

Gjatë dy dekadave të fundit, Schroeder është përfshirë në pozita kyçe brenda kompanive energjetike ruse. Pak pas largimit nga posti i kancelarit, ai mori drejtimin e komitetit të aksionarëve të gazsjellësit Nord Stream (të udhëhequr nga Gazprom), projekt të cilin e kishte mbështetur gjatë mandatit të tij, ndërsa më vonë shërbeu edhe në gjigantin e naftës Rosneft.

Në fillim të këtij viti, Putin e quajti Schroederin si personin e preferuar për të negociuar marrëveshje të reja sigurie në Evropë – një propozim që u hodh poshtë në mënyrë kategorike nga Bashkimi Evropian dhe qeveria e Merzit. Ndërkaq, vetëm javën e kaluar, Schroeder iu bashkua bordit mbikëqyrës të zinxhirit rus të shitjes me pakicë Hyperglobus.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb