Libri ‘Specialët-elita e Policisë Shqiptare’, u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë, ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982. “GSH” publikon sot pjesë nga ky libër që hedh dritë mbi veprimtarinë e repartit-elitë të policisë shqiptare.

DETYRAT KONKRETE
Në historikun e këtij reparti special të policisë është shënuar se detyra e parë e vështirë është kryer në muajin maj 1982, kur specialët u aktivizuan krahas shërbimeve të tjera në sigurimin e normalitetit në Kongresin IX të Rinisë Shqiptare. Në periudhën 31 gusht-21 shtator 1982, pra deri katër ditë para se të zbarkonte banda e Xhevdet Mustafës, reparti special u aktivizua në shërbime sekrete në bregdetin shqiptar, kryesisht në bregdetin e Ishmit dhe të gjirit të Durrësit, rajoni i Golemit, në pritje të kapjes së të ashtuquajturit “grup terrorist i Xhevdet Mustafës”, shërbim i cili u mbyll më 25 shtator, kur me urdhër të eprorëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në orën 09.30 të kësaj dite, grupe speciale të repartit morën detyrë për të bashkëvepruar me struktura të Forcave të Armatosura për asgjësimin e grupit. Sot nuk është sekret (pas deklarimeve publike të agjentit të CIA-s, zbuluesit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Zelandës së Re, Vincent Fogart), të shprehem se shoku im i shkollës, zbuluesi Orion Trebicka, ka qenë caktuar në atë shërbim. Në periudhën 1983-1990 reparti special i policisë nr.326, ka kryer detyra në bashkëpunim me shërbimet e tjera të policisë kryesisht për sigurimin e normalitetit në veprimtaritë politike dhe përkujtimore të udhëhe-qësve komunistë, në festa e veprimtari kulturore e artistike në vend dhe garantimin e rendit në veprimtaritë sportive në disa rrethe me tifozëri të zjarrtë.
Operacionet e para në arrestimin e personave të rrezikshëm, të cilësuar “me tendenca terrori” apo “autorë vrasjeje, keqbërës me rrezikshmëri të theksuar shoqërore” janë regjistruar fillimisht Caf Susta e Sali Breshni, në janar 1983, në Shkodër; më pas në periudhën mars-korrik 1984, përkatësisht në Hotel “Arbëria”, në rrugën afër ndërmarrjes “Rruga-Ura”, në Tiranë, dhe më vonë një tjetër në Lezhë. Viti 1986 shënoi “rekord botëror” në kohëzgjatjen e shërbimeve të specialëve, kur ata morën detyrë ruajtjen e mbajtjen të rrethuar të Ambasadës Italiane, ku ishin futur e strehuar një familje shqiptare, e fisit “Popa”. Aktivizimi në shërbim, në vitin 1988, në Zallbastar, për gjetjen e dy personave të vrarë dhe të hedhur në lumin e Tiranës, diktoi domosdoshmërinë e specialëve nënujor. Viti 1988 regjistroi shërbime edhe në kapjen e personave të arratisur nga burgjet, sikurse ka qenë rasti i kapjes së disa personave të burgut të Tërnovës. Në serinë e shërbimeve në stadiume spikat dhuna e tifozëve më 5 qershor 1988, kur “plasi” në Kuçovë, asokohe “Qyteti Stalin”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipit vendas “Naftëtari” dhe ekipit të Ministrisë së Punëve të Brendshme “Dinamo”, rast kur qindra vetë goditën me gurë, sfera, kushineta e sende të tjera të forta policinë, përfshirë edhe specialët e pranishëm, duke regjistruar të parin cenim të rëndë të rendit në stadiumet shqiptare. Në prillin e vitit 1988 u aplikua për herë të parë negocimi me persona të rrezikshëm, gjë e cila rezultoi e efektshme në zgjidhjen e situatave të ndërlikuara. Viti 1990 solli përballje të rrezikshme të specialëve me turmat. Më 25-26 mars 1990 u shënuan konfrontimet në Kavajë, arrestimet e disa personave në stadiumin “Besa” dhe në qytetin e Kavajës, për të vijuar më pas me ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Tiranë dhe me lëvizjen antikomuniste në gjithë Shqipërinë. Në periudhën 11-13 maj 1990, reparti u caktua në shërbim në sigurimin e vizitës së Peres De Kuelarit, Sekretar i Përgjithshëm i OKB; në janar 1991, krahas shërbimeve të shumta reparti u ngarkua të zgjidhte situatën e krijuar nga revolta në burgun e Shënkollit, në Lezhë, ku pati disa të plagosur; më 22 qershor 1991, sigurimi i vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA, James Baker, në Tiranë; më 23 qershor 1992 u arrestuan në Fier (Libofshë) vëllezërit vrasës, Josif e Didbardh Çuka (të dy u dënuan me vdekje dhe u varen në qytetin e Fierit).
SITUATA NE VEND ME 1991
Në vitin 1991 janë vështirësuar shumë shërbimet në mbajtjen dhe rivendosjen e rendit publik por janë shtuar edhe shërbimet për kapjen e personave të rrezikshëm. Janari shënoi kulmin e kurbës së qëndrimit në gatishmëri. Kudo kanë nisur lëvizjet greviste, sidomos ato të minatorëve që solidarizohen me njëri-tjetrin, ndër të cilët Valiasi mban peshën kryesore. Nga data 11 deri më 16 janar qeveria e Adil Çarçanit është gozhduar nga kërkesat e minatorëve dhe ministri i Energjetikës, Besnik Bekteshi, përballet gjithnjë e më ashpër në takimet me përfaqësuesit e tyre, duke toleruar gjithnjë e më shumë.
Sambistët janë mbi makina sa në një rreth në një tjetër. Miratimi i një dekreti presidencial për ruajtjen e mbrojtjen e monumenteve e shtoi më shumë punën e sambistëve, sidomos në mbështetje të shërbimeve të policisë në Tiranë, mbasi aty kishte shumë objekte e monumente edhe të Enver Hoxhës. E gjendur nën trysninë e grevave e të lëvizjeve kundër saj dhe nën vëzhgimin e rreptë ndërkombëtar, qeveria e Ramiz Alisë bëri një lëshim politik të pa imagjinuar që nga viti 1945, kur pushteti popullor kishte ardhur në fuqi, duke u detyruar të ligjërojë “të drejtën e grevës”. Krahas këtij “lëshimi”, sikurse përmenda më lart, qeveria ndërkohë realizoi miratimin e dekretit që ktheu policinë “roje” të monumenteve, duke e kryqëzuar përballë shigjetave ku ishte përqendruar sulmi politik i grevistëve163. Një artikull i Edi Ramës (Gazeta “Rilindja Demokratike”, nr.7, datë 26 janar 1991), pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, titulluar “Dje, sot, nesër”, krahas të tjerave ironizonte thellë dekretin “për mbrojtjen nga keqbërësit të përmendoreve, busteve e memorialëve”, duke tërhequr njëkohësisht edhe vëmendjen për fatkeqësinë që klasa politike, e cila ka në dorë ligjet dhe policinë, ende nuk është mësuar me demokracinë. Duke përmendur si fatkeqësi këtë që ndodh në Shqipëri, ku presidenti nxjerr dekrete për të mbrojtur Enver Hoxhën, ai e quan rastin “anarshi politike”. Këtij reagimi realist për situatën dramatike të rendit e të sigurisë publike iu kundërvu ashpër një korrespondent i gazetës “Zëri i Popullit”, i cili shkroi si kundërpërgjigje “Pse çuditet Edi Rama!? Kujt nuk i pëlqen një dekret!?”, duke analizuar me “partishmëri” të tre problemet e të djeshmes, të sotmes e të ardhmes.
Nuk ka vend ku nuk shkojnë sambistët me shërbim në këtë fillim viti. Edhe kur Azem Hajdari e Arben Imami, më 4 shkurt 1991, vendosen një kurorë166 në nderim të qytetarëve të terrorizuar më 4 shkurt 1944, nga Xhafer Deva me shokë, me mbishkrimin: “Martirëve të 4 shkurtit dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri”, për të garantuar mbarëvajtjen e rendit, edhe këtu, janë sambistët.

Në vijim kjo gazetë botoi një peticion kundër sambistëve, për shërbimin e kryer në Povelçë, nënshkruar nga 118 fshatarë, të cilët protestojnë ndaj dhunës së sambistëve, ushtruar ndaj të rinjve të fshatit më 1 shkurt, ora 09.00, por duke vendosur në epiqendër nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, Mihal Qiqi, i cili solli specialët dhe shoqëroi në polici të rinjtë G.Sopi, A.Taçi, B.Koliçi, N.Hysi dhe A.Dervishi. Këto shkrime duket se kanë synim “mpirjen” e veprimeve të policisë përballë zgjerimit të veprimeve të paligjshme në emër të lëvizjes demokratike në vend dhe të shembjes së komunizmit. Lëvizja greviste studentore, e cila angazhonte repartin special në shërbime e gatishmëri të pandërprerë, ishte hapur si “virozë” edhe në Institutin e Lartë Bujqësorë, në Kamzë, me të cilët zhvilloi një takim të detyruar edhe kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani.

Studentët, që kishin paralizuar të gjithë veprimtarinë mësimore e sillnin probleme të tjera social-ekonomike (shqetësim për prindërit e tyre, vështirësim të shërbimeve të rendit, harxhime financiare, tensionim të gjendjes etj.), i kërkuan kryeministrit rregullimin e problemeve të ushqimit, të fjetjes, të ngrohjes, të ndriçimit, të transportit, të strehimit, të kalimit të kohës së lirë dhe, sipas njoftimeve të gazetarit të “Zëri i Popullit”, ishte arritur mirëkuptimi, ndërsa për kërkesat që lidheshin me dorëheqjen e disa drejtuesve të rektoratit kjo do të mundësohej me rrugë procedurale të rregullt nga emërtesa.
Skenari vazhdoi me studentët, të cilët janë organizuar nga drejtuesit e PD të luajnë kartën kundër qeverisë me kërkesa ultimative, sidomos pas mitingut që u zhvillua më 7 shkurt 1991 në sheshin e sapo pagëzuar “Demokracia”, në mbështetje të kërkesave të studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor, në Kamzë, e duke shtuar kërkesat për sigurimin e ngrohjes në godina; asfaltimin e rrugëve në qytetin “Studenti”; t’u jepen shtëpi pedagogëve që flenë në godinën nr.18; të montohet aparatura e diskotekës në klubin e studentëve; të bëhet çideologjizimi i shkollës; t’i hiqet emri i Enver Hoxhës universitetit; të mos ketë ndalime dhe procese gjyqësore ndaj studentëve për motive politike; të legalizohet “Shoqata Studentore Shqiptare”; të dorëhiqet ministri i Punëve të Jashtme, Reis Malile; të shfuqizohet dekreti për mbrojtjen e figurave historike etj.

Krahas kësaj u luajt bukur edhe me organizimet masive në rrethe, duke provokuar hapur shërbimet e policisë dhe për më tepër në ushtrimin e trysnisë në porte, me pretekste për t’u larguar dhe përballje në vijim me shërbimet aty. E tillë ka qenë ngjarja e zhvilluar në Durrës më 9 shkurt 1991, për të cilën Frrok Çupi në artikullin: “Durrësi në peshën e dhimbjes shqiptare”, ndër të tjera shkroi: “Vallë ky ishte sheshi i Durrësit vetëm një çast më parë kur nga të gjitha anët vërshëllenin gurë, tulla, shkopinj gome, xhama, skafandra, blinde dhe ndonjë plumb? Gurë, gurë. Sheshi i ngjan më shumë një guroreje se sa një bulevardi… Libraria “Dyrrahi” vazhdon të mbajë flakën gjatë… Evidentohet i plagosur një djalë 20 vjeçar, i thirrur Admir Alikaj”. Më konkretisht e më realisht se sa shkroi Çupi, gazeta “Zëri i Popullit” njoftoi: “Trazime në Durrës”, duke përmendur se grupe të rinjsh, keqbërës, vepruan në rrugën e “Portit”, duke goditur me gurë për disa orë rresht ruajtësit e rendit; u qëlluan me gurë dhe u thyen xhamat e disa institucioneve; u vodhën shumë lokale të tregtisë, të shërbimit, librari, farmaci etj. Ndërkohë iu vu zjarri disa kinkalerive dhe një librarie në qendër të qytetit…Zëdhënësi i MPB, Isuf Baçi, njoftoi se u plagosen 35 policë, ndërsa nga keqbërësit janë paraqitur për mjekim vetëm dy vetë, u ndaluan nga forcat e ruajtjes së rendit 42 persona172. Drejtoria e Policisë Popullore, në një relacion drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isaj, ndër të tjera përmendi, pranoi dhe pohoi se më 9 shkurt 1991 turma të mëdha sulmuan portin duke u përballur ashpërsisht me forcat e ruajtjes dhe si rezultat i epërsisë së madhe numerike porti u pushtua prej tyre. Për normalizimin e gjendjes u përdoren forca të shumta të policisë së Durrësit, dy batalione të ndërhyrjes së shpejtë dhe forca speciale të repartit 326, të cilët përdoren shkopinjtë e gomës dhe munden të shpërndajnë mijëra vetë. Përleshjet kanë qenë shumë të ashpra, pati të plagosur nga të dy palët, policia dhe demonstruesit, turma ishte e organizuar e kompakte, e pozicionuar mirë e nga kjo policia avancoi ngadalë. Demonstruesit kishin vendosur tre barrikada në thellësi 20-30 metra, kishin kapur tarracat e zotëronin ballkonet prej nga hidhnin mbi kokat e policëve vazo lulesh, pllaka betoni, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Vetëm pas ardhjes së përforcimeve të shumta dhe përdorimit me efikasitet të makinës zjarrfikëse që hodhi ujë me presion mbi demonstruesit turma u tërhoq. Turma shkatërroi çdo gjë që mund të shkatërrohej e të thyhej, përdori ngarkesa me lëndë eksplozive, u vuri zjarrin pesë objekteve. U përdoren parulla antiqeveritare, ndërmjet tyre edhe “Enver-Hitler”, “Poshtë qeveria”, “Poshtë Policia”, “Komunizmi mbaroi”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Në vijim turma të shumta rrethuan postën e policisë së qytetit dhe u larguan prej andej vetëm kur u folën Azem Hajdari e Arben Imami, të cilët u bënë thirrje demonstruesve për të treguar veten edhe në zgjedhjet që po vinin. Edhe këtu Azem Hajdari hodhi parullën “Poshtë qeveria”. Ndryshe nga sa njoftoi zëdhënësi i MPB, në këtë relacion shënohen 47 vetë të ndaluar.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: