Libri “Specialët-elita e Policisë Shqiptare”, u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë, ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982. “Këtë libër e shkrova i motivuar dhe i nxitur nga ndjenja të pastra përkundër synimeve e tendencave dashakeqe të të paditurve për deformimin prej tyre të vërtetave për forcat speciale shqiptare.
Çdo e dhënë bazohet në dokumente arkivore të papublikuara, në të dhëna mediatike të kohës dhe në informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale”, thotë Lushaku në këtë libër. “GSH” vazhdon sot pjesën e gjashtë të publikimit të këtij libri që hedh dritë mbi veprimtarinë e repartit elitë të policisë shqiptare.

Lëvizja greviste studentore, e cila angazhonte repartin special në shërbime e gatishmëri të pandërprerë, ishte hapur si “virozë” edhe në Institutin e Lartë Bujqësorë, në Kamzë, me të cilët zhvilloi një takim të detyruar edhe kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani. Studentët, që kishin paralizuar të gjithë veprimtarinë mësimore e sillnin probleme të tjera social-ekonomike (shqetësim për prindërit e tyre, vështirësim të shërbimeve të rendit, harxhime financiare, tensionim të gjendjes etj.), i kërkuan kryeministrit rregullimin e problemeve të ushqimit, të fjetjes, të ngrohjes, të ndriçimit, të transportit, të strehimit, të kalimit të kohës së lirë dhe, sipas njoftimeve të gazetarit të “Zëri i Popullit”, ishte arritur mirëkuptimi, ndërsa për kërkesat që lidheshin me dorëheqjen e disa drejtuesve të rektoratit kjo do të mundësohej me rrugë procedurale të rregullt nga emërtesa. Skenari vazhdoi me studentët, të cilët janë organizuar nga drejtuesit e PD të luajnë kartën kundër qeverisë me kërkesa ultimative, sidomos pas mitingut që u zhvillua më 7 shkurt 1991 në sheshin e sapo pagëzuar “Demokracia”, në mbështetje të kërkesave të studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor, në Kamzë, e duke shtuar kërkesat për sigurimin e ngrohjes në godina; asfaltimin e rrugëve në qytetin “Studenti”; t’u jepen shtëpi pedagogëve që flenë në godinën nr.18; të montohet aparatura e diskotekës në klubin e studentëve; të bëhet ç’ideologjizimi i shkollës; t’i hiqet emri i Enver Hoxhës universitetit; të mos ketë ndalime dhe procese gjyqësore ndaj studentëve për motive politike; të legalizohet “Shoqata Studentore Shqiptare”; të dorëhiqet ministri i Punëve të Jashtme, Reis Malile; të shfuqizohet dekreti për mbrojtjen e figurave historike etj. Krahas kësaj u luajt bukur edhe me organizimet masive në rrethe, duke provokuar hapur shërbimet e policisë dhe për më tepër në ushtrimin e trysnisë në porte, me pretekste për t’u larguar dhe përballje në vijim me shërbimet aty. E tillë ka qenë ngjarja e zhvilluar në Durrës më 9 shkurt 1991, për të cilën Frrok Çupi në artikullin: “Durrësi në peshën e dhimbjes shqiptare”, ndër të tjera shkroi: “Vallë ky ishte sheshi i Durrësit vetëm një çast më parë kur nga të gjitha anët vërshëllenin gurë, tulla, shkopinj gome, xhama, skafandra, blinde dhe ndonjë plumb…? Nën këmbë njerëzish thyhen e kërcasin mijëra e mijëra xhama copa-copa pafundësisht. Gurë, gurë. Sheshi i ngjan më shumë një guroreje se sa një bulevardi… Libraria “Dyrrahi” vazhdon të mbajë flakën gjatë… Evidentohet i plagosur një djalë 20-vjeçar, i thirrur Admir Alikaj”. Më konkretisht e më realisht se sa shkroi Çupi, gazeta “Zëri i Popullit” njoftoi: “Trazime në Durrës”, duke përmendur se grupe të rinjsh, keqbërës, vepruan në rrugën e “Portit”, duke goditur me gurë për disa orë rresht ruajtësit e rendit; u qëlluan me gurë dhe u thyen xhamat e disa institucioneve; u vodhën shumë lokale të tregtisë, të shërbimit, librari, farmaci etj. Ndërkohë iu vu zjarri disa kinkalerive dhe një librarie në qendër të qytetit… Zëdhënësi i MPB, Isuf Baçi, njoftoi se u plagosen 35 policë, ndërsa nga keqbërësit janë paraqitur për mjekim vetëm dy vetë u ndaluan nga forcat e ruajtjes së rendit 42 persona. Drejtoria e Policisë Popullore, në një relacion drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isaj, ndër të tjera përmendi, pranoi dhe pohoi se më 9 shkurt 1991 turma të mëdha sulmuan portin duke u përballur ashpërsisht me forcat e ruajtjes dhe si rezultat i epërsisë së madhe numerike porti u pushtua prej tyre. Për normalizimin e gjendjes u përdoren forca të shumta të policisë së Durrësit, dy batalione të ndërhyrjes së shpejtë dhe forca speciale të repartit 326, të cilët përdoren shkopinjtë e gomës dhe munden të shpërndajnë mijëra vetë. Përleshjet kanë qenë shumë të ashpra, pati të plagosur nga të dy palët, policia dhe demonstruesit, turma ishte e organizuar e kompakte, e pozicionuar mirë e nga kjo policia avancoi ngadalë. Demonstruesit kishin vendosur tre barrikada në thellësi 20-30 metra, kishin kapur tarracat e zotëronin ballkonet prej nga hidhnin mbi kokat e policëve vazo lulesh, pllaka betoni, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Vetëm pas ardhjes së përforcimeve të shumta dhe përdorimit me efikasitet të makinës zjarrfikëse që hodhi ujë me presion mbi demonstruesit turma u tërhoq. Turma shkatërroi çdo gjë që mund të shkatërrohej e të thyhej, përdori ngarkesa me lëndë eksplozive, u vuri zjarrin pesë objekteve. U përdoren parulla antiqeveritare, ndërmjet tyre edhe “Enver-Hitler”, “Poshtë qeveria”, “Poshtë Policia”, “Komunizmi mbaroi”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Në vijim turma të shumta rrethuan postën e policisë së qytetit dhe u larguan prej andej vetëm kur u folën Azem Hajdari e Arben Imami, të cilët u bënë thirrje demonstruesve për të treguar veten edhe në zgjedhjet që po vinin. Edhe këtu Azem Hajdari hodhi parullën “Poshtë qeveria”. Ndryshe nga sa njoftoi zëdhënësi i MPB, në këtë relacion shënohen 47 vetë të ndaluar.

Situata alarmante në rend e siguri po kapitullonte Policinë, ku qëndronte i pathyeshëm vetëm reparti nr.326, ndërsa PPSH ende vijonte me skenarët e “solidaritetit”, duke propaganduar përkrahjen e popullit rreth saj e presidentit Ramiz Alia, me një rubrikë “Mbi të gjitha uniteti, interesat e popullit”, ku botoheshin telegrame e letra të panumërta, e duke mos informuar për kërkesat e studentëve që po shtoheshin gjithnjë e më shumë, madje së fundmi doli në skenë edhe problemi i heqjes së emrit “Enver Hoxha” Universitetit Shtetëror të Tiranës, gjë të cilën organi i PPSH-së u detyrua ta bënte të njohur më 10 shkurt 1991.
Më 14 shkurt 1991, ministri i Punëve të Brendshme, nëpërmjet ekranit të televizorit shqiptar njoftoi opinionin mbarëshqiptar se organet shtetërore kanë të dhëna të plota që forca të errëta e me qëllime të caktuara destruktive janë përgatitur për të krijuar shqetësime serioze në popull gjatë këtyre ditëve në kryeqytet e në qytete të tjera të vendit. Të dhënat flasin se këto forca po aktivizojnë elementë keqbërës e terroristë, të pajisur me mjete represive si armë zjarri, eksploziva, armë të ftohta etj. Ata kanë si synim që të veprojnë kundër qytetarëve dhe pasurisë së popullit për të destabilizuar situatën politike në vend. Në planin e këtyre forcave të errëta terroriste e fashiste synojnë të shfrytëzojnë mitingjet, manifestimet dhe veprimtaritë e tjera masive, kulturore, sportive etj…Ata po hedhin parulla luftënxitëse, vëllavrasëse dhe antikombëtare. Në taktikën e tyre është tërheqja e sa më shumë fëmijëve dhe nxënësve të shkollave, grave e të rinjve, për t’i shfrytëzuar për qëllimet e tyre të mbrapshta. Në vijim, ministri i Brendshëm, bëri thirrje që qytetarët të mos bien viktimë e manipulimeve dhe veprimtarisë antipopullore, duke deklaruar publikisht ndërkohë se organet e ruajtjes së rendit kanë marrë urdhër të jenë në krye të detyrës e të veprojnë pa nguruar në mbrojtje të ligjshmërisë, të jetës së popullit dhe të interesave të larta të atdheut. Për t’i bërë të ditur opinionit publik se çfarë po pritej, shtypi proqeveritar botoi për dy ditë radhazi njoftimin zyrtar të MPB, drejtuar qytetarëve, për të cilin Rudolf Marku, një nga penat shpotitëse antiqeveritare, u përpoq të bënte lojë fjalësh e të tallej. Kuptohet se hartues të këtyre skenarëve ishin ata që po paguanin të gjitha kostot e shkallmimit të rendit komunist. Në njoftim, sipas Rudolfit, shkruhej: “…Organet shtetërore kanë të dhëna të plota që forca të errëta e me qëllime të caktuara destruktive janë përgatitur për të krijuar shqetësime serioze në popull… Të dhënat flasin se këto forca po aktivizojnë elementë keqbërës e terroristë, të pajisur me mjete represive, si armë zjarri, eksploziv, armë të ftohta etj”. Ndonëse Rudolfi synoi të akuzonte, faktet flisnin hapur se akte vandalizmi, dhune, vrasje, djegie, shkatërrime e organizime kishin nisur me ngulm e revansh të panjohur kurrë më parë. Këtë ditë u njoftua se më 13 shkurt u dogj në Kavajë një depo artikujsh industrialë dhe pajisjesh shtëpiake si soba, mobilie etj., duke shkaktuar një dëm në vlerën 100 mijë lekë. Në vijim zëdhënësi i MPB njoftoi se janë ndaluar e arrestuar një numër i madh elementesh keqbërës e kriminelë, të cilët në grupe të organizuara dhe veçmas kanë kryer vrasje, grabitje dhe vjedhje të pasurisë shtetërore e qytetare. Më tej njoftimi bën me dije se: “…u identifikuan autorët e grabitjes të datës 13 janar 1991, në Tiranë, të cilët plagosen rëndë dy policë të patrullës së policisë… Krahas këtyre vazhdojnë të intensifikohen peticionet e pafund, deri te Presidenti i Republikës, me lumë kërkesash që ndërthuren me njëra-tjetrën, por që kanë në thelb fshirjen e çdo gjejë që lidhet me Enver Hoxhën dhe historinë e PPSH-së. Qyteti “Studenti” është kthyer në shesh demonstrimi dhe 723 studentë, më 18 shkurt në darkë, u ngujuan në grevë urie brenda pallatit të kulturës së qytetit universitar, duke mbyllur derën nga brenda. Valiasi ishte një tjetër vatër greviste e në të gjithë anët e vendit kishte filluar ankthi për zhvillimet e frikshme që kishin shpërthyer anë e mbanë Shqipërisë. Duke hulumtuar në të dhënat e burimeve të informimit të kriminalitetit gjen njoftime nga më të çuditshmet, që shkojnë deri në thirrje për luftë e zgjidhje të kërkesave vetëm me gjak. Studenti tropojan Sh.R, i Gjuhës Angleze, në shkurt 1991, nga tribuna e qytetit “Studenti” u shpreh se “kërkesat zgjidhen me gjak”, por kjo nuk u miratua nga folësit e tjerë, Azem Hajdari, Blendi Gonxhe, Gramoz Pashko. Informacionet për zhvillimet e ngjarjet në Shkodër janë të shumta, për thirrje nga më të ndryshmet, si: “Hiqni telat prej kufirit”, “Të lirohen të burgosurit politikë”, “Poshtë diktatura”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, “Enver-Hitler”, ndërsa emrat e Dedë Kasnecit, Viktor Kasnecit, Alfred e Devid Çunit e Basri Tusha dhe të fshatarëve të Postribës, që organizuan lëvizjen “Duam bukë”, apo të shumë ndërmarrjeve në qytet e në rrethina, që kaluan në “stopim për mungesë të lëndës së parë të importit” janë të hollësishme. Edhe akuza e Gramoz Pashkos, në takimin e zhvilluar në kinema “11 Nëntori”, në Elbasan, në pasditen e 7 shkurtit 1991, duket e çuditshme teksa duke kritikuar sjelljen e veprimet e policisë, ai deklaroi: “…është burgosur lulja e rinisë” dhe më tej “…ata krijuan edhe reparte sambistësh nëpër rrethe, të cilat i kanë mbushur me ish-të dënuar dhe kriminelë të dalë nga burgu”.
Ndërsa sambistët po provonin kundërshtime të dhunshme në detyrë, përballje të paprovuara më parë, ku demonstruesit shkelnin çdo rregull e ligj demokratik me veprimet e tyre vandaliste, drejtues të lartë të PD-së sulmonin policët për t’i trembur e tulatur në përmbushjen e detyrave ligjore. Në një shkrim, titulluar: “Shtet policor apo shtet juridik”, Neritan Ceka, duke analizuar ngjarjen e 9 shkurtit në Durrës, kur u dhunuan barbarisht shumë policë, kritikoi ashpër sambistët: “…Përse sambistët të dalluar për t’u gjendur para kohe në veprimtarinë e Partisë Demokratike në Zharrës, apo për të rrahur në stilin e “skuadroneve” të rinjtë e Povelçës, paraqiten nga televizori ynë në një duel me gurë me fëmijët e Durrësit”. Në vijim, duke akuzuar qeverinë dhe sambistët, ai shkroi: “…Shumë ngjarje të kohëve të fundit kanë treguar se prania e këtyre organeve shoqërohet në mënyrë të paevitueshme me incidente. Veçanërisht kjo është tipike për sambistët, këto reparte që u shfaqen papritur dhe për të cilët nuk është bërë e njohur asgjë se si janë formuar, nga rekrutohen dhe në ç’raste duhen përdorur”.
Reparti 326, i ndodhur në epiqendër të sulmeve politike për “ashpërsinë” kundërvepruese ndaj demonstruesve e grevistëve kishte filluar “frenimin” dhe rritur përmbajtjen në veprime, gjë e cila u shfaq hapur edhe në ditën që u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës, ditën për diell, në sheshin “Skënderbej”, më 20 shkurt 1991, në drekë. Për qëndrimin e përmbajtur e të ligjshëm të sambistëve në përballje me turmat e demonstruesit bën fjalë edhe shkrimi i gazetarit Preç Zogaj, titulluar: “Telegrafi e pjesshme e datës 20 shkurt”, ku përmend se më 18 shkurt studentët mbyllën derën e ambientit ku janë futur në grevën e urisë me “bekimin e Partisë Demokratike”, duke këmbëngulur “për të mos u takuar me asnjëri” deri në plotësimin e kërkesave të tyre, (pothuajse të gjitha politike, përmendur më herët), gjë e cila shërbeu si kartë për të sensibilizuar prindërit e studentëve dhe mbështetësit e tyre, në emër të ruajtjes së shëndetit. Zogaj, zbardh qartë rolin e Sali Berishës si njeri i Ramiz Alisë, i cili së bashku me ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushi, më datën 19 shkurt, në orën 01.30 pas mesnate, pas kthimit nga takimi me presidentin Alia, u flet atyre: “E çuditshme, por fati i studentëve mund të zgjidhet me një formulë politike që ka autor ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushi…”. Edhe këtu, pavarësisht “cungimeve” të Preçit, është lehtë të merret vesh se loja me studentët dhe “agjentët” e politikës po vazhdonte bukur, sipas skenarit të Ramiz Alisë. Grupi i Partisë Demokratike, pas disa qëndrimeve dyshuese e kundërshtuese u tërhoq në emër të “paanshmërisë”, duke e lënë topin në këmbët e Ministrisë së Arsimit për plotësimin e kërkesave dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të menaxhuar situatën. Studentëve iu premtua (sipas skenarit) se universiteti do të ndahej në katër universitete dhe asnjëri prej tyre nuk do të mbante emrin e Enver Hoxhës. Thelbi i kësaj kërkese nuk ka nevojë për komente nëse ajo krahasohet me kërkesat për kushtet jetike, për programet mësimore e rritjen e cilësisë së universitetit apo për probleme të tjera thelbësore. Studentët vunë kushtin që kjo të bëhet me shkrim, në formë kontrate, por nuk u pëlqye nga ana e qeverisë, gjë e cila ishte dëshmimi i vijimit të protestës deri në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, në sheshin “Skënderbej”. Zogaj vijoi shkrimin për zhvillimet e datës 20 shkurt duke përmendur faktin se po bëheshin thirrje për grumbullime në mbështetje të studentëve, madje pa dallim, përfshirë punëtorët, nxënësit e studentët, fëmijët e pensionistët. Ndër figurat kryesore në këtë veprimtari përmendet vetëm Rajmonda Bulku, që u drejtoi një thirrje grave e nënave tiranase për të mbështetur studentët, e cila elektrizoi turmën e pranishme, që më pas mori rrugën drejt qytetit, krahasimisht si ortek, deri sa doli përballë policëve, ku peshën e të gjithë asaj trysnie e mbanin sambistët. Preçi ka shkruar ndër të tjera, për zhvillimet në shesh: “…Një makinë e shëmtuar me ngjyrë të kuqe futet në shesh, u drejtohet manifestuesve dhe papritur lëshon mbi to fushqeta uji me ngjyrë të kuqe. Ngjan si flakëhedhëse. Manifestuesit largohen. Ç’është ky uji i kuq”? Asgjëkund ai nuk ka akuzuar specialët dhe shërbimet e tjera të policisë, të cilat për hir të së vërtetës nuk reaguan ndaj veprimeve të demonstruesve, edhe pse kishte një ligj për të mbrojtur monumentet. Në shkrimin e tij ai përshkruan shkurt se si u “shemb” përdhe Enver Hoxha dhe se si u shkel e u tërhoq shtatorja zvarrë nëpër bulevard, duke dhënë kuptimin e shprehjes së urrejtjes popullore ndaj një udhëheqësi të një periudhe gati 40 vjeçare, por tashmë i konsideruar “diktator”. Theksoj se kjo gazetë, e datës 23 shkurt, një ditë pas ngjarjeve të rënda, ku pati vrasje të njerëzve të pafajshëm dhe një speciali nuk ka shkruar asnjë fjalë, të paktën njoftuese. As Ceka, miku i atëhershëm i Zogajt, i cili sikurse theksova më lart botoi një shkrim këtë ditë në këtë gazetë, nuk përmend asnjë gjë për ngjarjen tragjike të vrasjes së specialit të repartit nr.326, pogradecarit Lulëzim Sulolari.
Vulën këtij “ndryshimi demokratik” të veprimeve policore ia kishte vënë presidenti Ramiz Alia, i cili iu drejtua popullit në darkën e datës 20 shkurt, duke folur në televizorin shtetëror, ku ndërmjet të tjerave: cilësoi 20 shkurtin 1991, ditën e rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës, si ditën më dramatike e më të rëndë për kryeqytetin; ata që rrëzuan shtatoren i quajti turmë të irrituarish pa arsye e logjikë që kaluan në vandalizëm; demonstruesit i akuzoi se duan shkatërrimin e Shqipërisë, duan të shkelin me këmbë çdo gjë, madje, sipas Alisë, janë gati të profanojnë edhe varret e të parëve; deklaroi se interesat e demonstruesve vandalistë janë politike dhe se loja e tyre cinike synon të armiqësojë popullin me pushtetin; shtroi pyetjet: Kujt i intereson që Shqipëria të destabilizohet? Kujt i intereson konfrontimi në prag të zgjedhjeve? Kujt i intereson që gjendjes së jashtëzakonshme ekonomike t’i shtohet edhe një gjendje e jashtëzakonshme e rendit publik? Cilët janë ato forca që dëshirojnë që në Tiranë të dëgjohen krisma armësh? A mund të arrihet demokracia me dhunë e instinkte të egra? Në vijim, Alia, pohoi publikisht se vendi është në pikën kritike, se po bëhen përpjekje për përçarje, janë në rrezik liria e pavarësia e sovraniteti kombëtar; i bëri thirrje popullit si president për të marrë në dorë fatin e vet, të shmangë katastrofën e të mos bëhet vegël e asnjë lloj manipulimi; njoftoi gjithë shqiptarët se ka vendosur të marrë vetë në dorë drejtimin e shtetit (do të krijohet Këshilli Presidencial) dhe kërkoi domosdoshmërisht qetësi në vend.
Mbas këtij mesazhi e komunikimi publik, shtypi partiak qeveritar punist vijoi melodinë e vjetër të publikimit të telegrameve e letrave solidarizuese, në rubrikën: “Sot më shumë se kurrë na duhet qetësia dhe puna”, ndërsa në vend u krijuan grupime kundërshtare, përfaqësues shoqatash të grupimeve kundërshtare politike majtas e djathtas, ku më të ashprat ishin “shoqatat e Enverit”, një pjesë e të cilave u prezantuan në televizorin shtetëror me bustin e Enverit në krah, duke demonstruar kundërshtimin e tyre për rrëzimin e përmendores më 20 shkurt, në Tiranë dhe “shoqata antikomuniste” apo “shoqata e të persekutuarve politikë”, që vepronin e demonstronin ashpërsisht për të drejtat e tyre.
Rrëzimi i përmendores së Enver Hoxhës bëri kurban koka ministrash, madje ndryshim rrënjësor të kabinetit qeveritar. Në drejtimin e MPB erdhi tepelenasi Gramoz Ruçi, ndërsa kryeministër u caktua Fatos Nano.
Edhe Sali Berisha, i cili publikoi pas pesë ditësh shkrimin: “Demokracia nën një sulm të rrezikshëm”, ndonëse përmend aty se Shqipëria po përjeton ngjarje tragjike, se gjaku i njerëzve të pafajshëm skuqi rrugët e Tiranës e të Fierit, përveç se thellon sulmet ndaj ish-Partisë së tij dhe akuzat retorike, asnjë germë nuk shkroi për specialin e vrarë para derës së Shkollës së Bashkuar të Oficerëve apo për prishjet e rënda të rendit, për kundërshtimin me forcë të policisë në përmbushjen e detyrës, për shkatërrimet që po ndodhin dhe nuk evidentoi asnjë përgjegjës real. Nga data 22 deri më 26 shkurt, sipas shkrimit të Berishës dhe zhvillimit të ngjarjeve në vend, evidentohen vrasjet e një vajze 12 vjeçare, Olta Çakshiri, për të cilët Berisha akuzoi sambistët e repartit nr.326. Po kështu, ai akuzoi sambistët edhe për vrasjen e Agim Allushit, më 22 shkurt, duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tij. Edhe për vrasjen e Pëllumb Tahirit, afër farmacisë nr.10, shtypi i Partisë Demokratike akuzoi policinë e qeverinë. Akuzat ndaj shtetit nuk ndalojnë edhe për vrasjen e Altin Lenjës (sportist i klubit “Partizani”), në përballjen me një patrullë ushtarake (shërbim garnizoni), të cilën ai e sulmoi duke mbështetur një shokun e tij, i thirrur për sqarim nga patrulla. Ridvan Peshkëpia doli me një letër të hapur për këto përgjakje dhe ndër të tjera, aty, ai evidentoi të vrarë edhe shtetasin Ismail Çapari. Më datë 26 shkurt opozita vijoi protestën antiqeveritare me grumbullime të mëdha dhe duke ndezur qirinj për viktimat në vend.
Për sa ndodhi në ngjarjet e Shkollës Bashkuar të Oficerëve është me vlerë edhe prezantimi në këtë tablo i një fakti të shënuar në shkresën që Hetuesia i dërgoi ministrit të Brendshëm, Gramoz Ruçi, ku shënoi: “…U vranë një polic ushtar në krye të detyrës dhe dy persona të palës tjetër pjesëmarrës në ngjarje; U plagosen me armë zjarri 15 persona, një polic në krye të detyrës, dhjetë persona të palës tjetër, tre persona në banesat e tyre dhe një kalimtar që janë plagë të lehta. Të plagosurit rëndë janë katër vetë. Janë ndaluar e kallëzuar për ndjekje penale 92 persona…”.
Akuzat ndaj strukturave të MPB nuk rreshtin. Tashmë është Ilir Malindi që sulmon me shkrimin “Merimanga e zezë ose Sigurimi i Shtetit”, duke shigjetuar të gjithë pjesëtarët e atij dikasteri, me synimin për t’i “mpirë”, “tulatur” e frikësuar që të mos veprojnë. Në ndihmë të këtyre veprimeve vijnë edhe shumë deklarata të ish-krerëve apo ish-të përkëdhelurve të regjimit komunist, të cilët kur kuptuan se “kalit iu konsumuan patkoit” vrapuan të hipnin në një kalë të “mbathur mirë”. Edhe largimi politik i Lisien Bashkurtit, njërit prej të rinjve të talentuar, që ishte i qartë për gjendjen mjeruese dhe ngrehinën ku kishte përfunduar Partia që e ngriti në “piedestal” bëri dyshues e dyzoi qëndrimin e shumë punonjësve të Policisë në detyra, ku nuk pati përjashtim edhe për specialët e repartit 326, të cilët ende nuk e kishin nuhatur e kuptuar se çfarë moti politik po i vinte Shqipërisë. Shkrimi deklarativ i tij: “Mbi të gjitha rinia, populli dhe kombi shqiptar” ishte një apel i hapur për të rishikuar pozicionin dhe veprimtarinë në shërbim të shtetit të rrënuar, i cili ato ditë po rrëzohej “gërmadhave” të veta. Vetëm në fillim të muajit mars 1991 gazeta opozitare “Rilindja Demokratike”, në zbatim të programit të shpejtimit të fundosjes së “anijes komuniste shqiptare”, shkroi: “Kronikë e një rebelimi të dështuar”, pa autor, por me shënimin “korrespondenti i RD”. Korrespondenti anonim përmend se më 22 shkurt, ora 17.00 “…para shkollës arritën repartet e mbrojtjes së rendit dhe shpërndahen njerëzit e grumbulluar para saj me shkopinj gome dhe duke bërë arrestime. Në orën 18.00 fillojnë të shtënat. Disa nga sambistët, pasi flasin në miting, qëllojnë nga oborri i shkollës drejt pallateve rreth tij…Repartet e rendit e shtrinë zjarrin edhe prapa pallateve, në tërë zonën midis shkollës “Bajram Curri” dhe farmacisë nr.10″. Korrespondenti përmend se viktimat janë tre vetë dhe disa të plagosur, madje brenda shtëpive të tyre. Më herët për këtë ngjarje kishte shkruar edhe gazeta tjetër “Zëri i Popullit”, e cila ndër të tjera pohonte se është vrarë polici i repartit 326, Lulëzim Sulollari, nga fshati Lin i Pogradecit dhe tre qytetarë si dhe janë arrestuar 50 vetë, të dyshuar për kryerjen e akteve të dhunshme në grumbullimet para Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Po kështu, kjo gazetë, publikoi edhe njoftimin paralajmërues se do të bëhen kundërveprime të ashpra ndaj atyre që do të synojnë të cenojnë rendin e qetësinë publike. Në një faqe tjetër të “Zëri i Popullit” të kësaj dite tërheq vëmendjen artikulli “Flora u dogj! Kultura në zjarr…”, e Jerina Zaloshnjës, e cila me nota proteste por edhe rebelimi, teksa shigjeton dhunën mesjetare të demonstruesve, me të drejtë evidenton se ai objekt është “simbol politik” por nuk duhej djegur, se brenda tij po shkrumbohen antikuarët që janë krenaria e kulturës së një populli. Zaloshnja përshkruan me dhimbje se si një fëmijë, pa e ditur se çfarë është duke bërë, fuste në thes dokumentin “Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, i vitit 1485” dhe librin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” etj. Shkrimi në fjalë është dëshmi e dhunës së papërmbajtur mbi objekte në kryeqytet pas rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës.
Një tjetër shkrim në “RD”, tashmë me autor Viktor Margilaj, titulluar ironikisht “18 ditë pas 4 shkurtit”, kritikon veprimet e policisë në Fier dhe autori evidenton disa të plagosur, duke akuzuar se “janë qëlluar me automatik nga sambisti Luan Rustemi”. Edhe pse situata ishte shumë e rënduar në vend me veprimtari të paligjshme e tubime në të gjithë rrethet, edhe pse përballjet demonstrues (protestues) e polici kishin kapërcyer çdo kufi përmbajtjeje, edhe pse shkrimet e deklaratat akuzuese të mbushur me fyerje për policinë në tërësi e për sambistët në veçanti, nuk pati stepje të tyre në përmbushjen e detyrave.
Edhe ndërrimi i kabinetit qeveritar nuk solli ndonjë qetësim të situatës, përkundrazi, vendi po paralizohej nga grevat, nga aktet e dhunshme deri në vandalizëm. Një shkrim i gazetës “RD”, titulluar “Kronikë e një rebelimi të dështuar”, me akuza e hamendësime të pavend, solli një reagim të ashpër të efektivit të shkollave ushtarake në vend, por që u mbyll me një shkrim akuzues, titulluar: “A doni të vërtetën”, me një përgjigje të çiltër e të vendosur të tyre, madje akuzuese për ata që rrethuan institucione të armatosura ushtarake.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: