Në një reagim për propozimin francez, çka nxiti protesta të shumta në Shkup ditën e djeshme, ish- kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, u shpreh se ditët e fundit Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian janë duke bërë një hap historik përpara.

“Propozimi i fundit i presidencës franceze është bazë e mirë që Maqedonia e Veriut ta fillojë procesin negociues që për të gjitha vendet fillon me konferencë ndërqeveritare dhe me skrining”, tha ai.

“Gjithsesi, propozimi nuk është më i miri, por ne jemi Ballkan. Duhet ta shfrytëzojmë momentin, duke e pasur në mendje se çështjet më të rëndësishme për ne, identitetin tonë, maqedonas nga Maqedonia e Veriut dhe gjuha jonë janë vendosur në tryezën negociuese, qartë si edhe të gjitha gjuhët e tjera dhe do të bëhet gjuha e ardhshme zyrtare e Bashkimit Evropian”, shtoi Zaev.

Ai nënvizoi se duhet të merret parasysh dhe të shfrytëzohet fakti që BE në të ardhmen do të jetë në tryezë me RMV-në dhe Bullgarinë, madje edhe për çështje bilaterale, përmes procesit negociues, raportoi INA.

Zaevi potencoi se ajo që është e rëndësishme është se janë garantuar identiteti dhe gjuha maqedonase, Ai u shpreh shpresëplotë se propozimi francez do të votohet nga shumica në Kuvend ndërsa Qeverinë aktuale e këshilloi të dëshmojë lidership.

“E këshilloj Qeverinë të marrë vendime prej lidershipi, këtë e kemi bërë me mikun tim të madh, Aleksis Cipras me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës që solli stabilitet, solli mesazhe të mira drejtuar Bashkimit Evropian se këtu në Ballkan, në mënyrë evropiane mund të gjejmë zgjidhje për shumë çështje të rënda, përmes diplomacisë dhe dialogut dhe vazhdojmë të jemi shembull i mirë për Bashkimin Evropian dhe shpresoj se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë edhe përmes pranimit të propozimit të BE-së dhe përfundimisht pas 17 vitesh do të fillojë me negociatat”, tha Zaev.

“Theksoi se Maqedonia e Veriut mori vendime shumë të rënda në disa vitet e kaluara. Vendi kontribuon për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, së bashku me reformat në vend ndërsa paralelisht potencoi se interesi strategjik i vendit është menjëherë të fillojë negociata për anëtarësim me BE-në.

Zaev sqaroi se ky është moment dramatik në Maqedoninë e Veriut, pasi në vijim është procesi i konsultimeve të Qeverisë me partitë opozitare, me partitë qeveritare, me ekspertë etj.

“Sot, nesër apo pasnesër Kuvendi do të duhet të votojë. Unë besoj se do të ekzistojë një shumicë, duke potencuar se ajo që është e rëndësishme është të shkojmë përpara drejt BE-së pasi nuk ka alternative”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb