NGA ORNELA MANJANI
TIRANE- Ministria e Financave ka një strategji të qartë për pagesat e kompensimit për ish-të përndjekurit politikë. Fondi arrin deri në 2 miliardë lekë për çdo vit, i cili është parashikuar për këtë vit dhe për tri vitet në vijim. Sipas përllogaritjeve, në tri vite do të shpërndahen 6 miliardë lekë. Kategoritë prioritare për pagesat e kompensimit janë ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Me ndryshimet më të fundit ligjore, 70% e fondit të parashikuar çdo vit u dedikohet të përndjekurve që janë gjallë. Deri tani është dëmshpërblimi financiar për 13 167 ish-të dënuar. Të dhënat mbi buxhetin trevjeçar dhe mënyrën e shpërndarjes së fondit bëhen të ditura në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” nga drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi.
Sa është fondi për ish-të përndjekurit politikë për këtë vitit dhe në tri vitet e ardhshme?
Fondi për pagesën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit në vitin 2015 është 2000 milionë lekë (2 miliardë lekë) dhe mbetet pothuaj mesatarisht në këto shifra edhe për tri vitet e ardhshme.
Me sa është rritur ky fond dhe kur pritet të përfundojë procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë sipas strategjisë së qeverisë?
Nuk ka ndonjë afat konkret të përfundimit të kësaj pagese, por përfundimi i saj është i lidhur me mundësitë financiare të qeverisë. Theksojmë se janë bërë hapa përpara në drejtim të përshpejtimit të kësaj pagese, veçanërisht për kategoritë parësore. Me ndryshimet më të fundit ligjore, 70% e fondit të parashikuar çdo vit u dedikohet të përndjekurve që janë gjallë. Mbi këtë bazë ne kemi arritur që për këtë kategori të përfundojmë plotësisht 4 këste dhe të paguajmë pjesërisht edhe këstin e pestë. Ndërsa për trashëgimtarët vazhdojmë të paguajmë këstin e dytë.
Cilat janë kategoritë prioritare për pagesat e ish-të përndjekurve politikë?
Në bazë të ligjit 94/2014, buxheti vjetor destinuar për pagesën e dëmshpërblimit financiar ndahet 70% për të gjitha kategorinë e subjekteve përfituese parësore dhe shpërndahet sipas radhës më poshtë: a) ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës; b) ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; c)ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm; ç)ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; d) ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; dh) ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që janë në moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Sa është numri i dosjeve në total që pritet të shqyrtohen gjatë këtij viti dhe sa është numri i përfituesve deri në përmbyllje të procesit?
Janë miratuar 25 Vendime të Këshillit të Ministrave “Për dëmshpërblimin financiar të ish-të dënuarve politikë”. Numri i ish-të dënuarve politikë, të cilëve u është miratuar vlera e dëmshpërblimit financiar është 13 167 ish-të dënuar.
A ka vështirësi në shqyrtimin e dosjeve dhe në plotësimin e dokumenteve për trashëgimtarët?
Procesi i shpërndarjes së dëmshpërblimit ka si problematikë mosplotësimin e dokumentacionit nga trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë. Janë jo të pakta rastet që procesi i dëmshpërblimit nuk ka filluar për shkak të mosdërgimit të dokumentacionit të plotë, ose janë të shumta rastet kur shpërndarja kryhet e pjesshme, për mosplotësim të dokumentacionit nga të gjithë trashëgimtarët. Ministria e Financave ka kryer një proces të shpërndarjes së këtij dëmshpërblimi në transparencë të plotë, duke azhornuar vazhdimisht në faqen e saj të dhënat për përfituesit, si dhe duke publikuar njoftime të herëpashershme lidhur me kërkesat për plotësim dokumentacioni.
DOKUMENTET PER TE PLOTESUAR DOSJEN
I. Për kategorinë e dytë me prioritet, “persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë”:
a. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit.
b. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).
II. Për kategorinë e tretë me prioritet, “Persona ish- të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda” a. Raport mjeko-ligjor (origjinal me emra dhe mbiemra të anëtarëve me firmë të gjithsecilit dhe me vulë, jo kopje) për paaftësi të plotë për punë e lëshuar nga:
1. KEMCAP (KEMP-i epror)OSE
a/1. Raport mjeko-ligjor për sëmundje onkologjike dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuar nga:
a(Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”
b) Qendra Shëndetësore Universitare “Shefqet Ndroqi”.
b. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
c. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).
III. Për kategorinë e katërt me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç”
a. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit.
b. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur.
c. Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur.
d. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).
IV. Për kategorinë e pestë me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”
a. Certifikatë vdekjeje të personit ish-të dënuar.
b. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish-të dënuar që nuk jeton më.
c. Certifikatë familjare të ish-të dënuarit, ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur.
d. Dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor.
e. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më.
f. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re) në emër të kujdestarit ligjor të të miturit.
V. Për kategorinë e gjashtë me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”.
a. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
b. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).
(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
