Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e “Open” në News24 ka zbuluar detaje në lidhje me arrestimet e ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës ditën e sotme, teksa ka zbuluar se si funksiononte skema e ngritur prej tyre.

Ajo shpjegoi se përmes një kompanie të quajtur 5D, ish-zyrtari Redi Molla dërgonte Mariglen Qaton si kryetar ose anëtar të komisionit të vlerësimit ofertave dhe ka firmosur 7 procedura tenderimi.

Lala zbuloi një rast konkret ku të akuzuarit kishin shtruar një rrugë me asfalt në prag të zgjedhjeve lokale të majit, tenderi i së cilës ishte nxjerrë një muaj më vonë, duke ngritur më pas edhe dyshime.

Ajo shtoi më tej se SPAK ka mbledhur prova në kompaninë 5D ku kanë dalë të dhëna edhe për persona të tretë që po hetohen, por zbuloi se në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, janë ushtruar kontrolle dhe janë mbledhur celularët e zyrtarëve në drejtoritë që drejtonte Taulant Tushe.

Pikërisht nga këto pajisje celulare janë gjetur disa aplikacione ku drejtorët dhe zyrtarët më të lartë komunikonin me njëri-tjetrin.

“Historia 5D është një aferë e rëndësishme korruptive. Zyrtarët më të lartë të bashkisë së Tiranës, për kohën që janë hetuar ishin në detyrë. Redi Molla dhe Mariglen Qato që u arrestuan sot dhe Taulant Tusha që u arrestua për inceneratorin e Tiranës. Përgjatë viteve 2016-20 kanë krijuar një kompani 5D që e kanë kontrolluar përmes një administratori që është Nestor Muhametllari.

Molla kur ishte drejtor te UKT dërgonte Qaton që e bënte kryetar ose anëtar të komisionit të vlerësimit ofertave dhe ka firmosur 7 procedura tenderimi, pra i ka dhënë para vetes së vetë. Dërgonte njerëzit e tij, bënte tenderin fiktiv dhe kalonte paratë te kompania e tij. Pra nuk ishte në emrin e tij, por me Qaton kontrollonin kompaninë. Për të dhënë tenderat fuste njerëzit e tij të besuar të bashkisë.

Ka shkuar deri në atë pikë sa drejtorët e bashkisë kanë krijuar një kompani për t’i dhënë para vetes. Babëzia ka shkuar deri aty sa kanë shtruar një rrugë, asfalt elektoral për të marrë vota dhe tenderin e kanë bërë një muaj më vonë. Nuk kishte kompani të kontraktuar për asfaltin në fjalë për zgjedhjet e majit.

Nisur nga kjo indicie ka nisur një hetim për këtë asfaltin elektoral që u bë me urgjencë dhe u bë me gropa shumë herët. Kjo rrugë ishte bërë pa tender sipas konstatimit që u bë. Sot kemi tre zyrtarë të bashkisë, Mariglen Qato ka qenë ndër njerëzit më të rëndësishëm të IKMT të bashkisë së Tiranës dhe ka nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpia. Mënyra si është vepruar tregon jo vetëm akte korruptive dhe babëzi, por edhe tenderat me vlera minimale i kanë qarkulluar përmes kësaj kompanie.

SPAK ka zbarkuar në kompaninë 5D dhe ka mbledhur prova ku kanë dalë të dhëna edhe për persona të tretë që po hetohen. Në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, janë ushtruar kontrolle dhe janë mbledhur celularët e zyrtarëve në drejtoritë që drejtonte Taulant Tushe. Nga këto celularë janë gjetur disa aplikacione ku drejtorët dhe zyrtarët më të lartë komunikonin me njëri-tjetrin”, zbuloi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb