Akuzat dhe thirrjet drejt organeve të drejtësisë kanë vijuar me tone të ashpra përpara godinës së Kryeministrisë. Një protestues ka marrë fjalën duke sjellë në vëmendje ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011 dhe duke deklaruar se katër viktimat e asaj proteste ishin miq të tij, të cilët u vranë për të sjellë në pushtet Edi Ramën.
Ai u shpreh i revoltuar me klasën politike dhe i bëri një thirrje të prerë SPAK që të zbardhë ngjarjen dhe të vërë përpara përgjegjësisë liderët politikë.
“Ne kemi gjak shqiptari, partia ka marrë fund. Unë këtu kam qenë më 21 janar 2011. Katër shokët e mi u vranë për të sjellë në pushtet këtë zotërinë që është sot. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, Faik Myrtaj duan drejtësi. Thërrasim SPAK-un, sepse Rama dhe Berisha kanë vrarë,” deklaroi protestuesi mes turmës.
