Mbrëmjen e kësaj të diele në programin “Dola te Ola” ishte i ftuar këngëtari i njohur Redon Makashi dhe kitaristi Bledar Sejko, të cilët ndër të tjera folën edhe për miqësinë e tyre shumëvjeçare.

Redoni kujtoi se për herë të parë Bledin e ka parë teksa ai luante kitare në një rrugicë të kryeqytetit dhe rreth tij ishin mbledhur disa njerëz të cilët shijonin performancën. Ai tha se arriti ta fiksonte Bledin pasi nuk kishte parë e dëgjuar ndonjëherë “kitarist të atij kalibri”.

Më pas ata rastisën në të njëjtën klasë në Lice, dhe prej aty nisën një shoqëri shumë të ngushtë me njëri-tjetrin e cila i ka rezistuar kohës. Dy artistët kujtuan se asokohe pëlqenin dhe imitonin grupin e famshëm “Beatles” dhe performancat që ata realizonin merrnin shpesh herë kritika pasi muzika e tyre cilësohej si ‘thyerje tabush’. Ata thanë se shpesh janë kritikuar, edhe para shkollës, madje ka patur raste kur u është tërhequr vërejtje duke iu thënë se do t’i dërgonin në Komitetin e Rinisë, “Ishim problematikë se bënim art”.

Dy artistët kujtuan emocionet e daljes së tyre të parë në ekran me këngën “Vitet e Shkollës”. Ata thanë se performanca e tyre ishte si një ‘thyerje akulli’, pasi nuk lejohej që të këndoje dhe t’i bije kitarës.

Redoni dhe Bledi kujtuan gjatë programit edhe pjesëmarrjen e tyre të parë në Festivalin e Këngës, ku treguan se rastësisht ata i kishte dëgjuar Pirro Çako dhe kishte menduar një këngë enkas për ta “Jemi Zemra e çdo moshe”, duke shënuar në këtë mënyrë nisjen e një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në muzikë.

Këngëtari Redon Makashi dhe kitaristi Bledar Sejko kënduan së bashku në studion e “Dola te Ola” duke dhuruar momente shumë të bukura për të gjithë teleshikuesit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb