Autoritetet italiane kanë nisur hetimet në lidhje me vdekjen e një 20-vjeçareje. E reja, e cila kishte alergji nga bulmetet iu servir një ëmbëlsirë ‘tiramisu’ që kishte përmbajtje qumështi.

Anna Bellisario me të dashurin raportohet se kishin dalë në një restorant të vogël në Milano më 26 janar të vitit të shkuar. Duke pasur alergji nga bulmetet ajo porositi ëmbëlsirën e reklamuar si vegane (pa përmbajtje bulmeti ose mishi) por pak më vonë pësoi krizë anafilaktike dhe vdiq një javë më vonë në spitalin San Raffaele.

Dy gratë që drejtojnë dyqanin e ëmbëlsirave po hetohen për vrasje nga pakujdesia, shkruan e përditshmja vendase Corriere della Sera. Hetimet kanë sugjeruar se ato kishin përzier etiketat e ëmbëlsirave që përmbanin qumësht me ato duhet të ishin vegane.

Në deklaratën e prokurorëve Tiziana Siciliano e Luca Gaglio u përdorën informacione nga përgjime ku thuhej se drejtueset e dyqanit, nënë e bijë, nuk bënin ndarje të plotë të produkteve vegane dhe me përmbajtje bulmeti, dhe se furnizonin edhe restorante të tjera me produktin “tiramisu vegane”.

E ndjera Bellisario kishte kontrolluar etiketën kur porositi tiramisu dhe kërkoi informacione prej alergjisë së saj. Ndërkohë, produkti në fjalë Tiramisu Mascherpa, është tërhequr nga tregu prej autoriteteve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb