Eurodeputetja italiane e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, e cila mori pjesë në protestën e 30-të qytetare në Tiranë, ka vlerësuar mobilizimin e qytetarëve, duke e cilësuar atë si një mesazh të fortë në mbrojtje të natyrës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Në një intervistë për News24, Guarda shpjegoi se vizita e saj  kishte si qëllim të kuptuarit nga afër të situatës në Shqipëri.

“Si grup i Gjelbër në Parlamentin Europian, ne ndiheshim shumë afër protestave, meqenëse ato filluan nga çështjet mjedisore. Por, nga perspektiva jonë, ne padyshim vumë re se po ndodhte diçka më shumë. Dhe donim të shihnim jo vetëm vendet, por edhe të flisnim drejtpërdrejt me njerëzit, të flisnim me shoqërinë civile, të flisnim edhe me politikanët, në mënyrë që të kuptonim më mirë se çfarë po ndodh këtu në Shqipëri”, u shpreh eurodeputetja.

E pyetur nga gazetari i News24 Erion Kaçorri se si e sheh mobilizimin qytetar dhe çfarë mesazhi po përcjell ai, Guarda tha se ishte e impresionuar nga pjesëmarrja dhe fryma paqësore e protestës.

“U ndjeva shumë krenare për ju, sepse ndjeva se ky mobilizim po i thërret njerëzit nga histori të ndryshme, të moshuar, të rinj, fëmijë, familje së bashku në një mënyrë paqësore, dhe ndjeva një mesazh vërtet të fuqishëm. Që sot e kësaj dite shohim edhe në Evropë që ndoshta nuk e vlerësojmë aq shumë atë që kemi, ligjet dhe mundësinë që kemi, dhe duke parë njerëz që po ngrihen për t’u dëgjuar, për të mbrojtur natyrën dhe të drejtat e njeriut, e ndjeva mesazhin shumë të fuqishëm”, deklaroi ajo.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb