BERAT- Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në qarkun e Beratit Lefter Maliqi ka hapur sot mitingun elektoral të PS-së në këtë qytet.

Ndonëse deri rreth një muaj më parë ai ishte demokrat dhe ende i treti në listë për të përfaqësuar PD-në në parlamentin e ardhshëm, Maliqi iu ka kërkuar beratasve të votojnë numrin dy, Partinë Socialiste. Madje ai siguroi se fitorja është e sigurt dhe PS do të marrë 5 mandate në Berat.

“Mirëserdhe kryeministri i Shqipërisë. Paç këmbën e me një fitore të thellë në këtë zonë. Je në takimin e parë madhështor në Lapardha por i sigurt për një fitore të thellë në të gjithë Shqipërinë. Ju e dini shumë mirë se në 2009 unë bëra një sfidë të vështirë, por ju më mbështetët.
Ne sot jemi më të fortë se kurrë. Dua t’i siguroj kryeministrit Edi Rama një fitore të thellë sepse këtu kemi një mesazh, mesazhin e bashkimit të madh. Të majtë e të djathtë bashkë për të votuar numrin 2, për një fitore të thellë në qarkun e Beratit. Blendi Klosi është me fat se është i pari. Por me fat është edhe Fadil Nasufi i katërti. Ju e dini që unë doktorët i kam qejf, dhe po ju them i pesti në listën e PS-së është mjeku i Beratit Konomi. Të punojmë fort për të marrë 5 mandate.
Të votojmë së bashku numrin dy, të vazhdojmë së bashku për fitore dhe investime. I nderuar zoti kryeministër. Ju keni thënë që ne do marrim 71 mandate, por po ju them që 5 mandate i ke në Berat, 71 nga Fieri e tutje. Mos u gënjeni as nga UFO-t që po premtojnë shkolla, as nga të majtët e të djathtët.
Zoti kryeministër, mbështeti këta njerëz se fitoren e ke të sigurt, 5 mandate në Berat. Fitore numri 2. Kryeministri i Shqipërisë do bëjë fushatë për 2021, fitore”, tha Maliqi.

Menjëherë pas tij ka folur kryeministri Edi Rama, i cili e quajti të paprecedentë atë që ka ndodhur me deputetin e PD-së.

“E paprecedentë në historinë e pluralizmit, që një deputet në listën e PD-së i është bashkuar PS, jo për interesa por për të përfaqësuar me dinjitet këtë komunitet. I jam mirënjohës Lefterit që me kurajë qytetare dhe me vetëdije politike na u bashkua në këtë betejë e cila nuk është një betejë mes partish por një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb